Meta nis konsultimet për datën e re të zgjedhjeve –

Pasi dekretoi shfuqizimin e zgjedhjeve në 30 Qershor, kreu i shtetit nisi konsultimet me përfaqësues të partive politike për të diskutuar një tjetër datë. Takimin e parë që zgjati për afro 30 minuta, Presidenti Meta e pati me 5 përfaqësues të grupimit të qendrës së djathtë.

Më herët, aleatët e Lulzim Bashës kishin propozuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj, por pas bisedës së zhvilluar me kreun e shtetit, ata thanë se nuk kishin diskutuar për një datë konkretë, pasi sipas tyre, ajo duhet të jetë produkt i një marrëveshje të madhe politike.

“Aksioni opozitar nuk mund të reduktohet vetëm në këtë situatën e ditës së zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve nuk është një dëshirë. Do të dalë vetvetiu nga marrëveshjet politike. Nëse data e zgjedhjeve është një shtyrje thjesht për të shtyrë kohë, kjo nuk i mjafton opozitës”, tha Dashamir Shehi.

Pas grupit të qendrës së djathtë, në zyrën e Ilir Metës u ngjit edhe Paskal Milo, kryetar i Partisë Demokracia Sociale.

“Çdo tentativë për të bërë zgjedhje të njëanshme do të kompromentonte hapjen e negociatave. Të jenë të lira e gjithëpërfshirëse. Duam stabilitet në mënyrë që Shqipëria të shmangë përplasjet politike dhe sociale”, tha Milo.

Televizioni Klan ka mësuar se në orët e pasdites ftesa nga Presidenti i ka mbërritur edhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por nuk dihet se kur do të jetë takimi mes tyre. Nga ana tjetër, maxhoranca konfirmon se nuk ka ende një ftesë për t’u bërë pjesë e konsultimeve, edhe pse është e qartë që shumica i qëndron 30 Qershorit si datë kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.

Tv Klan

Marre nga TvKlan

Aleatët e PD takojnë Metën: Hap i vogël, por në drejtimin e duhur

Kryetarët e partive aleate të Partisë Demokratike takuan të mërkurën kreun e shtetit, Ilir Meta, si pjesë e konsultimeve për datën e re të zgjedhjeve pas shfuqizimit të dekretit për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, tha për mediat se data e zgjedhjeve do të vijë si rrjedhojë e një marrëveshjeje më të madhe, duke përmendur PS dhe PD, sepse më e rëndësishme se data e zgjedhjeve është se si do të shkojmë deri tek këto zgjedhje.

“Ne gjykojmë që data e zgjedhjeve nuk mund të jetë një dëshirë, do të dalë vetvetiu nga marrëveshjet politike, nga sipërmarrjet politike. A do t’i rregullojmë këto ligje? Nëse data e zgjedhjeve është një shtyrje thjeshtë për të fituar kohë, kjo nuk i mjafton opozitës.”

I pyetur nëse kanë dhënë një propozim si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Shehi tha se “nuk besoj se as Presidenti na ka thirrur për këtë. Zoti Meta do i presë të gjithë palët e tjera, të cilët mund të kenë edhe peshë më të madhe se ne, si PD dhe PS.”

Shehi tha se të gjitha këto diskutime bien poshtë nëse pala tjetër këmbëngul tek data 30 Qershor.

“Si fillim është një hap i vogël, por e rëndësishme është që drejtimi është i duhuri. Nëse pala tjetër vazhdon me pretendimin për zgjedhje më datë 30 atëherë këto diskutime nuk kanë më vlerë, është muhabet i kotë dhe do të bëhemi gati për beteja të tjera në rrethana të tjera, të cilat nuk do të ishin të mira për Shqipërinë.”/tvklan.al

Marre nga TvKlan

Parlamenti ka detyrë të reagojë nëse Presidenti çmendet –

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar për papërgjegjshmëri kreun e shtetit, Ilir Meta, pas vendimit të tij për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Nga Divjaka, ku prezantoi kandidatin e partisë Socialiste për zgjedhjet e 30 Qershorit, Rama tha se Meta tashmë e ka humbur të drejtën të qëndrojë në postin e Presidentit.

Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e, jo vetëm të republikave parlamentare, por të panjohur në historinë e qeverisjes së botës. Firmos dhe ç’firmos. Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej, nuk do të kishte më shtet, rregull, drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund as të pranohet as të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës për sa kohë që fuqia e popullit sovran është tek parlamenti dhe pa diskutim për sa kohë që parlamenti ka jo vetëm të drejtën por ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet.

Të gjithë atyre që flasin për përplasje civile, apo për një tjetër ‘97, Rama iu kujtoi se nuk është populli që është ngritur në protesta për kursimet e veta, por vetëm 4 persona, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, që po dalin kundër reformës në drejtësi.

“Nuk janë qindra mijëra njerëz që janë ngritur si në 1997, janë 4 veta, dy kryesorët Iliri dhe Saliu, Monika fallxhorja me artistin, dhe e gjitha kjo është jo fortunë në gotë por llum në filxhanin e fallxhores dhe një përpjekje e dëshpëruar për të penguar atë që nuk e pengojnë dot më. Nuk e kanë dashur që në fillim reformën në drejtësi.”

Veprimet e fundit të Presidentit Meta, Rama tha se kanë bërë të kuptohet se “ku fle lepuri”.

“Që zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor, kjo nuk diskutohet”, tha Rama duke paralajmëruar se ata që “kërkojnë të mbjellin frikë. Mbajeni mend, nga frika e tyre do të treten.”/tvklan.al

Marre nga TvKlan

Besoj në hapjen e negociatave me Shqipërinë –

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, shpreh besimin se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do t’i hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Pas takimit me kryeministrin Zaev, Tusk shkruan në Twitter: “Besoj se mund të ketë një vendim: Të fillojnë negociatat në përputhje me rekomandimet e Komisionit, si, me Maqedoninë e Veriut ashtu dhe me Shqipërinë. Pyetja sot nuk është nëse, por kur”, mbyll reagimin e tij kreu i Këshillit Europian pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev.

Tv Klan

Marre nga TvKlan

Bojkotimi i parlamentit është bojkotimi i demokracisë –

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut që kryesohet nga Josip Juratović, si dhe anëtarë të tjerë po mbajnë një konference për mediat ku ndër të tjera ju përgjigjën dhe interesit të gazetarëve lidhur me krizën poltike në vendin tonë.

Josip Juratovic deklaroi se bojkotimi i parlamenti është bojkotimi i demokracisë.

Bojkotimi i parlamenti është bojkotimi i demokracisë. Për mua parlamenti ka të njëjtën shenjtëri, për mua si besimtar i krishterë siç e ka dhe Kisha nuk është një sallë tregu apo pazari. Kam përshtypjen së është shndërrua në një sport të dashur për shqiptarët që në momenti që s’më pëlqen diçka po e bojkotoj.

Do të jenë zgjedhësit që do të vendosin se çfarë është bërë mirë dhe se çfarë është bërë keq. Mendoj se zgjedhësit në Shqipëri janë të mirinformuar lidhur me atë çfarë duan.

Jo të gjithë qytetarët në Europë janë entuziastë për një zgjerim të unionit, nga ana tjetër edhe në Shqipëri dhe në rajon nuk janë të gjithë entuziastë dhe ju referohem atyre që kanë një lloj ndrojtjet për kapitujt 23 dhe 24.

Thirrja ime drejtuar të gjithë njerëzve që besojnë në vlerat demokratike pavarësisht çfarë partie i besojnë edhe në demokratët e Europës të japim mendimin tonë”.

 

Marre nga TvKlan

Konsultime për datën e re të zgjedhjeve –

Presidenti Ilir Meta do të nisë sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së re të zgjedhjeve.

Burime nga zyra e kreut të shtetit thanë se takimet e para do të zhvillohen  sot ne ora 19:00 me krerët e partive te Grupimit te Qendrës së Djathtë.

Po të njëjtat burime saktësuan se takimi është kërkuar nga grupi i partive të qendrës së djathtë.

Kujtojmë shfuqizimi i dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve u botua një ditë më parë në fletoren zyrtare.

Tv Klan

Marre nga TvKlan

Rama kërcënon stabilitetin e vendit –

Partia Demokratike ka vendosur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Në njoftimin për shtyp thuhet se misioni i saj është ndërgjegjësimi i qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend.

Basha është shprehur gjatë mbledhjes se nuk do të zhvillojë asnjë negociatë me Kryeministrin Rama për të zgjidhur krizën politike. Sipas kryedemokratit, largimi i kryeministrit është kusht i panegociueshëm.

Vetëm pak orë pasi Konferenca e Kryetarëve vendosi mbajtjen e një seance me debat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, demokratët akuzuan Kryeministrin Rama se për pushtetin e tij po sakrifikon rendin kushtetues.

“Edi Rama është sot njeriu më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor dhe sigurinë e qytetarëve. Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, ka marrë nën kontroll organet e reja të drejtësisë, përdor si instrumente politikë kundër kundërshtarëve politikë Shërbimin Informativ të Shtetit dhe Policinë e Shtetit, përdor si kamikazë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”

Bardhi përsëriti edhe një herë qëndrimin e demokratëve se krijimi i qeverisë tranzitore për të përgatitur zgjedhje e lira, do të zgjidhte krizën politike.

Tv Klan

Marre nga TvKlan

Nuk ka asnjë shans të shtyhen zgjedhjet –

I pyetur për dekretin e Presidentit Meta pas takimit që pati me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Social-Demokrate në Bundestag, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se kreu i shtetit nuk ka asnjë shans të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve.

Zhvillimet në Shqipëri, deputetët gjermanë i diskutuan edhe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve  ka reaguar edhe Departamenti i Shtetit.

Në një koment për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit tha se Uashingtonit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit.

Tv Klan

Marre nga TvKlan

Zgjedhjet duhet të zhvillohen –

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha të martën se zgjedhjet në Shqipëri duhet të zhvillohen, ndryshe do të shtyhet më tej perspektiva evropiane e vendit.

Njerëzit nuk duhet të pengohen të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Nuk mund të bllokosh shprehjen e vullnetit të popullit të Shqipërisë. Mendoj se zgjedhjet duhet të zhvillohen, ndryshe do të shtyhet më tej perspektiva evropiane e Shqipërisë”, tha Juncker në një Konferencë të përbashkët për mediat në Bruksel.

“Nuk dua të ndërhyj në debatin e brendshëm mes Presidentit dhe qeverisë, por mendoj se këto zgjedhje duhet të zhvillohen, nëse nuk zhvillohen, dëmtojnë perspektivën europiane të Shqipërisë.

Rama falenderoi Juncker “për qëndrimin mjaft të qartë për situatën në Shqipëri, zgjedhjet duhet të zhvillohen në kohë dhe askush nuk duhet të pengohet të marrë pjesë.

Ndërsa pyetjeve në lidhje me Presidentin Meta, Rama refuzoi t’u përgjigjet duke theksuar se “kemi kohë të flasim kur të kthehem në Shqipëri.”

Më tej Juncker tha se Komisioni Europian beson se Shqipëria meriton të vazhdojë më tej në rrugën drejt Bashkimit Europoian.

“Unë jam në favor të hapjes së negociatave sa më shpejt për Shqipërinë, mbase në fillim në vjeshtës.” /tvklan.al

Marre nga TvKlan

Basha mbledh Këshillin Kombëtar –

Partia Demokratike ka miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Basha ka hedhur poshtë çdo zë që flet për një marrëveshje mes tij e kryeministrit Rama.

Kryedemokrati mësohet të jetë shprehur se nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes tij dhe Edi Ramës, nuk ka asnjë negociatë e as do të ketë pazar me të.

Sipas kryedemokratit largimi i kryeministrit është kusht i panegociueshëm dhe se dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat e shqiptarëve qëndron në themel të kërkesave të opozitës.

Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës.

Tv Klan

Marre nga TvKlan