Në Gjakovë nderohen 180 personalitete

Në vigjilje të Ditës së Çlirimit, Komuna e Gjakovës do të ndajë mirënjohje për për 180 personalitete me prejardhje nga ky qytet, kontributi i të cilëve është shtrirë në nivel vendi por edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Kjo ngjarje është një nga aktivitetet për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Gjakovës.

Gjatë ditës së sotme është paraparë edhe inaugurimi i fushës sintetike të futbollit në Shkugëz dhe themelimi i Akademisë së Futbollit “Naim Kryeziu”.


Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ndërsa, prej orës 18:30 do të mbahet koncert i Ansamblit Muzikor të Qytetit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”.

Marre nga GazetaBlic

Vrasja në Laç/ Identifikohet autori i dyshuar i ngjarjes

Mbrëmjen e djeshme në afërsi të stadiumit të Laçit 24- vjeçari Viktor Shkorreti mbeti i vrarë pasi u qëllua me armë zjarri.

Ndërkohë që sot policia njofton se është dentifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për një parking dhe se autori i dyshuar i vrasjes është shtetasi E.K.,32 vjeç, banues në Tiranë.

Njoftimi
Kurbin

Zbardhet vrasja e 24 vjeçarit V.SH. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen në afërsi të stadiumit Laç, Kurbin, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi V.Sh., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autori i dyshuar i vrasjes është shtetasi E.K.,32 vjeç, banues në Tiranë.

Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 24 vjeçarit

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/1 të Kodit Penal.


Top Channel

Marre nga Top Channel

Prej katër ditësh i zhdukur, adoleshenti gjendet i mbytur në lumin Vjosa

Një 18-vjeçar nga Këlcyra, i cili ishte denoncuar i zhdukur prej katër ditësh nga familjarët, është gjetur i mbytur në lumin Vjosa.

Matias Rizallari dyshohet se mesditën e se dielës  është mbytur në lumin Vjosa ndërsa lahej.

Sipas burimeve në Policinë lokale i riu është parë në afërsi të lumit dhe prej asaj dite familjarët kanë humbur kontaktet me të.

Trupi i pajetë i 18-vjeçarit u gjet në hyrje të Këlcyrës mëngjesin e sotëm pas mbërritjes së polumbarëve të RENEA-s.

Marre nga Next TV

Pikëpyetjet e Parisit – GazetaBlic

Samiti i Parisit, i paraparë të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm, ka gjasë të dështojë. Një mundësi të tillë ditë më parë e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndonëse sipas tij ky dështim mund të ndodhë pa fajin e Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë planifikuar organizimin e Samitit të Parisit më 1 dhe më 2 korrik 2019, duke synuar që t’i japin shtytje dialogut Kosovë – Serbi.

Por pala serbe po refuzon të ulet në tavolinën e bisedimeve pa heqjen e taksës 100 për qind nga pala kosovare. Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dy ditë më parë në një takim në Parlamentin e Serbisë ka thënë se është gati e sigurt se nuk do të ketë takim të Parisit. “Ky është mendimi im, do të shohim nëse kam të drejtë, shkruan tutje “Zëri”.


Ne gjithsesi do të shkojmë nëse jemi të ftuar. Druaj se vlerësimi im është i saktë, por shpresoj të gaboj. Mungesa e një zgjidhjeje nuk duhet të jetë kapsulë për të krijuar ndonjë lloj konflikti”, ka thënë ai. Më tej Vuçiq ka thënë se bisedimet nuk do të vazhdojnë derisa Kosova nuk e heq taksën. Edhe pse vazhdimisht është përmendur tarifa e vendosur ndaj produkteve serbe, nga Zyra e kryeministrit kanë thënë për “Zërin” se takimi i Parisit nuk ndërlidhet me taksën.

Marre nga GazetaBlic

Çka do të ndodhte nëse bomba më e fuqishme bërthamore do të shpërthente në hapësirë?

Të gjithë e dimë se shpërthimi bërthamor në tokë sjellë efekte katastrofike në gjithë zonën përreth. Por, çfarë nëse njerëzimi e shpërthen bombën bërthamore në hapësirë? Videoja e publikuar më poshtë shpjegon në detaje pasojat që do të mund të sillte një veprim i tillë, shkruan Business Insider.

Në fakt një gjë e tillë kishte ndodhur dhe konsiderohet si testi me rrezikshmërinë më të madhe në histori të njerëzimit. Ishte viti 1962, kur qeveria amerikane lansoi bombën 1.4 megaton nga ishulli Johnston të cilën e shpërtheu rreth 400 kilometra mbi Oqeanin Paqësor, që mund të krahasohet me lartësinë e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor që është sot.

Shpërthimi gjeneroi një top gjigant të zjarrtë që më pas shkaktoi sasinë e madhe të energjisë ndryshe e njohur si pulsi elektromagnetik apo EMP, që është shpërndarë në mbi njëmijë kilometra.


EMP shkakton shpërthimin e energjisë që shkatrron çdo pajisje elektronike. Edhe ky shpërthim nuk ishte ndryshe. Në gjithë territorin e Havait, semaforët dhe ndriçimi publik u shkatërrua, linjat telefonike dështuan, radarët dhe sistemi i navigimit doli nga përdorimi, duke mos përmendur gjashtë satelitët që nuk i përgjigjeshin kullave të kontrollit.

I gjithë ky dëm u shkaktua nga bomba 1.4 megaton. E bomba Tsar që ishte bomba më e madhe bërthamore e asaj kohe që asnjëherë nuk shpërtheu ishte prej 50 megaton. Por, çfarë do të ndodhte nëse një bombë e tillë do të shpërthente mbi SHBA-të?

Pasi që nuk ka atmosferë në hapësirë, nuk do të krijohet reja në formë të kërpudhës dhe nuk do të kishte shpërthim që do të shkaktonte shkatërrim në masë. Përkundrazi, do të ishim dëshmitarë të një topi të zjarrtë katër herë më të madh sesa ai i bombës së vitit 1962. Dhe nëse do ta shikonit drejt për vetëm 10 sekonda, sigurisht se do t’i dëmtonit përgjithmonë sytë.

Edhe satelitët nuk do të shpëtonin më lehtë. Rrezatimi nga shpërthimi do të “piqte” qindra instrumente të ndryshme, përfshirë satelitët për komunikim, ata ushtarakë për spiunim si dhe teleskopin Hubble. E astronautët që janë në bord në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor do të rrezikoheshin nga helmimi dhe rrezatimi.

Sa i përket njerëzve në tokë, do të ishin të sigurtë. Shpërthimi do të ishte aq larg tokës, sa që niveli i lartë i rrezatimit nuk do të prekte asnjë njeri në tokë. Por, kjo nuk na ofron komoditet që të mos brengosemi për asgjë. Pulset elektromagnetike do të mbulonin 1/3 e Shteteve të Bashkuara, duke shkatërruar plotësisht rrjetin e energjisë si dhe pajisjet elektronike ngjashëm me goditjen e rrufesë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, rrezatimi gjithashtu do të kishte kontakt me oksigjenin dhe nitrogjenin në atmosferë, duke krijuar aurora në afërsi të vendit të shpërthimi që do të zgjasnin për ditë të tëra. Por, të jemi të qartë, një gjë e tillë sigurisht se kurrë nuk do të ndodhte, kjo pasi që pajisjet super-termobërthamore sikurse bomba Tsar nuk ekzistojnë.

Por, edhe nëse do të ndodhte, bomba Tsar peshonte rreth 27 mijë kilogramë, dhe pak raketa në botë do të mund ta dërgonin një peshë të tillë në hapësirë. Kështu që njerëzimi nuk ka nevojë të bëjë panik. Videoja është realizuar nga fizikanë të laboratorit kombëtar Los Alamos.

Marre nga GazetaBlic

Sot temperaturat do të shkojnë mbi 33 gradë celsius

​Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar një tjetër ditë me diell dhe me temperatura të larta në vendin tonë.

Sipas tyre, termometri sot do të kalojë mbi 30 gradë celsius.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-16 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-33 gradë celsius.


Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-9m/s.

Marre nga GazetaBlic

Njihuni me Clintonin e Podujevës, është veç 15-vjeç

Familja Bajgora nga komuna e Podujevës vazhdon të mbajë në shtëpi kalendarin e vitit 2008 vetëm pse në të gjendet fotografia e ish-Presidentit ShBA-së, Bill Clinton.

Kjo nuk është e tëra. Kryefamiljari Hasan Bajgora e pagëzoi djalin e tij me emrin e politikanit demokrat.

“Bill Clinton kur e ka dhënë fjalimin që Beogradi e i ka qu mesazh që nëse myten qata njerëz aty unë kam me ta bombardu Beogradin për sa të kam mundësi e me t’ja lshu bombat. Neve na ka shpëtue”, tha Bajgora.


Por krenar që mban këtë emër është edhe vetë Clinton-i, tani 15 vjeçar, raporton Klan Kosova.

“Jam shumë i lumtur për emrin se na ka ndihmu gjatë luftës, një njeri kaq i madh”, thotë 15 vjeçari.

Madje ai thotë se ka raste kur duhet të prezantohet disa herë, pasi njerëzit ndjejnë çudi për emrin.

Marre nga GazetaBlic

E thotë Bajram Gecaj: Po, fitoi njeriu i Fatmir Sejdiut

Në episodën e radhës të dokumentarit “EXPOSE”, produkt televiziv i Gazeta Blic, ku flitet për zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, flet edhe njëri nga njerëzit më të afërt të Isa Mustafës, Bajram Gecaj.

Gecaj i cili humbi në nëndegën e tij, ku pati edhe përplasje verbale ndërmjet tij, dhe disa pjesëmarrësve në këtë nëndegë, e pranon se aty fituan njerëzit e Fatmir Sejdiut.

Bajram Gecaj e pranon se ka pasur probleme në këtë nëndegë, derisa e shpjegon në detaje se si erdhi deri këtu situate.


“Ka qenë dega e dytë faktiksiht nëndega e 9/1, nëndega e “Tasligjes” aty ku unë jetoj. Ka pasur pak problem. Shikoni, zgjedhjet sjellin tensione vazhdimisht në çdo parti politike kur ka zgjedhje njerëzit janë kapak të paknaqur, ndonjëhrë dikush fiton dikush humb, sepe zgjedhjet e kanë këtë karakteristik”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Në këtë nëndegë, ku edhe ka pësuar humbje Bajram Gecaj, janë organizuar dy herë zgjedhjet.

“Herën e parë është dashur të analohen, arsyeja kryesore ka qenë se nuk është pritur se do të ketë numër të madh të njerëzve prezent. Kanë qenë 220 individë, pra ka qenë një prezencë e madhe e njerëzve që lirisht, e them më e madhja në Prishtinë, sepse para katër vitesh në zgjedhjet e klauara kanë qenë diku 70 – 80 individë që kanë votuar. Këtë herë janë bërë 220 dhe nuk ka pasur kushte teknike që të mbahen zgjedhjet. Fillimisht s`ka pasur karrige të majftueshme dhe zakonisht njerëzit kur janë në këmbë ngrihen tensionet, pastaj nuk ka pasur zërim tuj mendu se nuk do të ketë aq shumë njerëz dhe në atë masë prej 220 personash është e vështirë të dëgjohesh çka flet”, tha ai.

Sipas tij, gjithë këto probleme kanë ndikuar që ajo të shtyhet.

Sipas tij, kryesia e degës është mbledhur dy herë dhe ka vendosur se nuk ka kushte teknike që të vazhdohet, pastaj në takimin e dytë janë bërë dikur rreth 300 vetë.

“Pra, unë ebso se nuk ka nendegë të LDK-së në nivel Kosove që ka mbledhur 300 vetë në një takim të nendegës”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Fatekeqësisht, thotë ai, aty individët shumë më herët i ngrisin aspiratat dhe qëllimi ka qenë që të fitoj njëra anë dhe të humb tjera, dhe sipas tij, kështu ndodhi.

“Ka fituar një individë që ka pasur më shumë vota. Po, në këtë nëndegë ka fituar krahu i Fatmir Sejdiut, pra në atë pjesë unë jam larg dy shtëpi me Fatmir Sejdiun dhe për arsye që unë besoj jo fort të logjikshme ka qenë një rivalitet me mua, për shkak se unë kam qenë këshilltar i kryeminsitrit Mustafa gjat qeverisjes së tij edhe pse unë gjithmonë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Fatmir Sejdiun, por si duket ata përkrahësit e tij kanë dashur të fitojnë më çdo kusht delegatët e tyre të shkojnë në degë dhe pastaj delegatët e tyre të shkojnë më tutje për zgjedhjet qendrore”, tha ai.

Marre nga GazetaBlic

Surroi dyshon se dialogu po vazhdon nën hije

Publicistja Flaka Surroi ka thënë se dyshon se dialogu mes Kosovës e Serbisë është duke vazhduar nën hije.

Sipas saj, presidenti Hashim Thaçi ka grabitur procesin e negociatave dhe kjo duhet të ndalet.

“Hashim Thaçi është i njëjti si para 20 vjetësh. Nuk e shoh se ka ndryshuar. Në dukjen e jashtme normalisht që ka ndryshuar, por për fat të keq s’është përfaqësuesi më i mirë që mund të ketë ky shtet. Mënyra si e ka grabit procesin e negociatave në vjetët e fundit është e tmerrshme. Është shumë e dëmshme dhe besoj se duhet të gjendet fuqia brenda spektrit politik që t’i ndalet hovi, sepse kompetencat që ka marrë krye në vete, pa autorizim të Kuvendit, pa platformë, pa ide e thjesht të shkojë në Bruksel për të vënë nënshkrime në dokumentet që i bëjnë dëm, duhet të ndalet. Duhet të ndalet në mënyrë demokratike”, ka thënë ajo në Rubikon.


Sipas saj, Thaçi duhet të çohet në Gjykatën Kushtetuese pas deklaratave për bashkim me Shqipërinë, apo korrigjim kufijsh me Serbinë.

“Hovin mund t’ia ndalë vetëm Kuvendi, por ky Kuvend s’mund të marrë asnjë vendim tash. Askush s’e ka shumicën”, ka thënë ajo, duke shtuar se as kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka ndalur Thaçin të vazhdojë dialogu, pavarësisht se ai po thotë që me taksë ka ndaluar dialogimin për kufijtë.

“Bindja ime është se negociatat po vazhdojnë në hije, jo në publik. Kontaktet vazhdojnë mes Thaçit e Vuçiqit. A ishin në Sllovaki së fundmi. Dolën publikisht e thanë se s’do të takohemi. Kjo ishte ‘u takuam po s’po tregojmë çka biseduam’. Thaçi me deklaratën që kërkon bashkimin e Shqipërinë apo më herët me atë për korrigjim kufijsh po shkel Kushtetutën. Nëse dikush do t’ia iniciojë procedurën pranë Kushtetueses dhe nëse ajo s’luan rolin e piunit si në të kaluarën, Thaçit do të duhej t’i konstatohej shkelje e do të duhej të dorëhiqej ose shkarkohej”, ka shtuar Surroi.

Sipas Surroit, zgjedhjet e reja në vend nuk do të sillnin asgjë të re. Ajo ka thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë efekt me parti të vjetra. Sipas saj, pos PSD-së që mund të konsiderohet parti e re, të gjitha janë të vjetra e të pareformuara.

Ka thënë se LDK-ja e PDK-ja duhet reformuar dhe të sjellin njerëz të ri për të nisur reformimin e plotë të skenës politike. Ka kritikuar LDK-në se vet e bëri president Thaçin e tash e kritikon dhe se shumica e kryesisë janë të klasës së vjetër. Për PDK-në ka thënë se akoma aty ka ndikim Hashim Thaçi, ndërsa për Vetëvendosjen ka thënë se e mira e saj është se ka treguar konsistencë, por ka shtuar se “pengesë absolute është mosnjohja e Kosovës si republikë e simbolet e saj”.

“Nëse vepron këtu politikisht e thua se flamuri i këtij shteti është i papranueshëm, s’po kuptoj se çka do të bëje nesër nëse ti i fiton zgjedhjet. A do të na bashkoje për një ditë me Shqipërinë?” ka pyetur ajo.

Për PSD-në ka thënë se mbetet subjekt i panjohur, por ka shtuar se dy kryetarët e komunave nga kjo parti, Shpend Ahmeti në Prishtinë dhe Qëndron Kastrati në Kamenicë, duhet të kishin dhënë dorëheqje morale pas largimit nga VV-ja me të cilën parti kishin fituar postet.

Më e keqja që ka sjellë kjo politikë në Kosovë, sipas Surroit, është dorëzimi i qytetarëve dhe fakti se shumë prej tyre thonë pas 20 vjetësh çlirimi se “po ta dinim se do të bëhej kështu do të kishim ik më moti”.

Marre nga GazetaBlic

Pasi u sulmua, vjen reagimi i Qendron Kastratit

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas sulmit me vezë në fshatin Hodonoc, si shenjë proteste për diskutimet për atë që Kastrati po e quan reformë në arsim.

Ai ka thënë se i kupton reagimet e tilla pasi thotë se qytetarët s’janë mjaftueshëm të informuar. Kastrati ka thënë se e ka ditur që iniciativa mund t’i kushtojë, por ka shtuar se është i gatshëm të paguajë çdo çmim.

Kastrati ka thënë se një grup i vogël i qytetarëve kishte penguar diskutimet në këtë fshat.


“I vetëdijshëm që qytetarët nuk janë ende mjaftueshëm të informuar, reagimet janë shumë të kuptueshme. Sot ishim ne Karaqevë të Poshtme dhe në Hodonoc për të vazhduar me diskutimet për Reformën. Në Karaqevë të Poshtmë debati ishte i dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit. Argumentet e secilit janë shumë të vlefshme për ne. Fatkeqësisht në Hodonoc një grup i vogël i njerëzve na pengoi që të diskutojmë me prindërit e nxënësve dhe banorët e fshatit. Po e them fatkeqësisht sepse shumica e pjesëmarrësve ishin të interesuar për diskutime dhe debat të hapur. Gjithashtu, më vjen shumë keq që kishin keqpërdorur fëmijët për të bërë zhurme dhe pastaj për të gjuajtur me vezë veturën në të cilën isha unë. Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Kastrati ka thënë se protestat i sheh si normale, por sulmin e sotëm ka thënë se e sheh si frikë konservatore nga përparimi.

“Me gjithë kundërshtimet pa shpjegim të atyre pak njerëzve për të mos filluar fare takimin, me insistimin tim dhe banorëve të tjerë u futëm në shkollë për të diskutuar me ta. Të shtyrë nga organizatorët, nxënësit u treguan shumë të zhurmshëm dhe nga pamundësia për t’u dëgjuar fjalët që do të thoshim të gjithë, u detyruam ta ndërpremë diskutimin. Protesta dhe format e tjera te mosbindjes janë normale për ne. Por, kur ato përdoren për ta ndaluar perspektivën zhvillimore të fëmijëve, kur nuk kanë mesazh, por veç zhurmë, kundërshtimi i ngjan frikës konservatore nga përparimi. Ne do të vazhdojmë të jemi afër qytetarëve, për t’i dëgjuar të gjitha diskutimet, edhe nëse jemi të “rrezikuar” nga aksionet simbolike”, ka shtuar ai.

Kastrati ka thënë në fund se do të vazhdojë diskutimet me secilin banor të Kamenicës, duke shtuar se është i gatshëm të paguajë çdo çmim.

“Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me secilin banor për idenë e reformës dhe vlefshmërinë e saj. E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i binduar se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim”, ka përfunduar ai.

Marre nga GazetaBlic