Politike

Shqipëria meriton hapjen e negociatave –

Loading...

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin, në kuadër të ruajtjes dhe konsolidimit të një komunikimi intensiv me autoritetet gjermane për procesin e integrimit.

Gjatë kësaj vizite, Ministri në Detyrë Gent Cakaj u prit në një takim nga Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, me të cilin u diskutua për ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit dhe hapjes së negociatave.

Ministri në Detyrë Cakaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë, çka rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai falënderoi Ministrin Roth për mbështetjen e Gjermanisë, si dhe për kontributin personal të tij.

Ministri Roth rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë, e cila mbetet maksimalisht e angazhuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerësoi se për këtë, respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor.

Ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë. “Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, u shpreh Ministri Roth. Ai konfirmoi se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për BP në tërësi dhe se Procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit evropian. Të dy ministrat konstatuan se Shqipëria ka mbërritur progresin e nevojshëm për hapjen e negociatave dhe se vendimi politik do të jetë i bazuar në raportin e komisionit./tvklan.al

Marre nga TvKlan

Loading...