KOSOVA Lajme

Salihu skeptik për Tribunalin, tregon si do të mund të gjykoheshin serbët për krime në Kosovë

Loading...

Iniciativa për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar që do të ndëshkonte krimet që kanë kryer forcat ushtarake paramilitare policore të Serbisë në Kosovë, ndonëse është qëllimmirë, vlerësohet se është vështirë e realizueshme, e ndërlikuar dhe thuajse e pamundur.

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale, në Intervistën e Javës në Koha.net, thotë se për të pasur sukses kjo iniciativë duhet angazhuar mekanizmat më relevantë ndërkombëtar siç janë, Bashkimi Evropian, OKB-ja e Këshilli i Sigurimit, por këto institucione ndërkombëtare, posaçërisht OKB-ja, nuk do ta përkrahte. Megjithatë, Salihu ka propozuar një rrugë më të lehtë që do t’i lehtësonte gjykimet e atyre që kryen krime në Kosovë. Thotë se patjetër duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit me të cilin është themeluar Gjykata Speciale. Ky është neni 6 që sipas tij, duhet të amandamentohet. Aty thuhet se duhet gjykuar krimet e “PRETENDUARA” nga serbët në Kosovë, e kjo duhet ndryshuar për t’u kthyer në krime të kryera në Kosovë.

“Nga iniciativa s’duhet të hiqet dorë që të gjenden mënyrat që kryerësit e këtyre krimeve masovike ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të ndëshkohen. Të gjithë ata kriminelë nuk është e mundur të ndëshkohen, kjo s’ka ndodhur në asnjë luftë, por të ndëshkohen një numër i konsiderueshëm i tyre. Ne duhet t’i mbledhim të dhënat e duhura, faktet, provat, sepse asnjë gjykatë ndërkombëtare, as ajo vendore, s’mund të gjykojë në bazë të një kërkese apo dëshire. E në këtë aspekt, ne në Kosovë kemi dështuar”, tha Salihu.


Sqaron gjithashtu se pse Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk do ta përkrahte themelimin e këtij Tribunali.

Loading...

“OKB-ja vështirë që do ta përkrah këtë Gjykatë sepse aty janë edhe interesat politike, janë edhe shtetet që jo vetëm që s’na kanë njohur si shtet por kanë edhe qasje jo të mirë ndaj neve, është Rusia, Kina, të cilat apriore do ta kundërshtonin këtë”, tha Salihu.

Salihu në këtë intervistë shpjegon vështirësitë në krijimin e kësaj gjykate, mundësitë që do ta lehtësonin krijimin e saj, e gjithashtu, dështimet që ka pala kosovare dhe numrin e vogël të prokurorëve që pretendohet të hulumtojmë në faktimin e krimeve serbe.

“Të paktën 2-3 vjetët e ardhshme duhet të punojmë intensivisht në mbledhjen dhe administrimin e provave. E kam thënë edhe në mbledhjen që e inicioi kryeparlamentari Kadri Veseli, në këtë Kosovën tonë janë emëruar dy prokurorë për hetimin e këtyre krimeve. Kjo është e pamundur, këta dy prokurorë s’mund të mbledhin prova edhe 20-30 vitet e ardhshme. Kam propozuar që në 7 regjione në Kosovë ku ka Gjykata Themelore duhet të emërohen së paku nga 2 apo 3 prokurorë, që i bie gjithsej të emërohen 20-25 prokurorë dhe secili të ketë ekipin e hetuesve e policëve, dhe të punohet sistematikisht në mbledhjen e të dhënave e më pas të themelohet kjo Gjykatë. Kjo është mundësia e parë nga e cila s’duhet të hiqet dorë. Por, nëse nuk arrihet kjo, ne duhet të ndalemi në Gjykatën e cila veç është themeluar nga Parlamenti i Kosovës, me ligjin e Kosovës”, tha ai./Koha.net

Marre nga GazetaBlic

Loading...
SuperDyqani