KOSOVA Lajme

Rasti “Badovci”: Dënohet me burgim njëri nga të akuzuarit

Loading...

I akuzuari për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale të terrorizmit, Fehmi Musa, është dënuar me tre vjet burgim, të hënën, nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Musa ka qenë i bashkakuzuar në rastin e njohur si “Badovci”, por pasi që Gjykata Supreme, kishte miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja, me ç’rast ishin anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Apelit, duke ia kthyer lëndën për rivendosje shkallës së parë.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, sipas së cilës, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.


Musa është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro.

Prokurorja Drita Hajdari, në fjalën përfundimtare të mbajtur më 7 maj 2019, ka rikualifikuar veprën penale nga ndihmë në kryerjen e veprës penale terroriste, në atë të dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale terroriste.

Ndryshe, aktakuza ndaj Musës dhe të bashkakuzuarve të tij, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Enis Latifit ishte ngritur me 4 dhjetor 2015, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Betim Ibrahimaj, por në seancën e 22 shkurtit të këtij viti, prokurorja Hajdari kishte propozuar që të lexohen deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe Prokurori, pasi sipas saj, nga informatat e policisë, ai ishte vrarë në luftën në Siri.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit sipas marrëveshjes paraprake, më 10 korrik 2015, kishin shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kishin pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “ISIS” dhe ta publikojnë këtë video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se pasi të akuzuarit ishin ndalur në afërsi të liqenit, ishin vërejtur nga rojtarët e liqenit, të cilët e kishin njoftuar Policinë e Kosovës, e cila kishte arritur në vendin e ngjarjes dhe i kishte arrestuar të pandehurit Besnik Latifi, Enis Latifi dhe Milazim Haxhiaj, derisa të pandehurit Gazmend Haliti dhe Betim Ibrahimaj ishin arratisur nga vendi i ngjarjes, të ndihmuar nga i pandehuri Fehmi Musa.

Ndërsa, Musa po akuzohet se më 11 korrik 2015, rreth orës 02:00 të mëngjesit, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit dhe me veturën e tij e kishte bartur të pandehurin Gazmend Haliti deri në fshatin Hajvali dhe të pandehurin Betim Ibrahimaj deri në Istog, edhe pse e kishte ditur qëllimin e qëndrimit të tyre tek liqeni i Badovcit, si dhe duke e ditur se me atë rast ata ishin arratisur nga policia.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës, më 29 maj 2018, kishte miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Fehmi Musa dhe detyrimisht të anulohen vendimet e nxjerra nga Gjykata Themelore në Prishtinë të 19 korrikut 2017 dhe ai i Apelit i 24 tetorit 2017, duke ia kthyer lëndën për rivendosje shkallës së parë.

Sipas Supremes, vendimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilët nuk janë eliminuar as me aktgjykimin e shkallës së dytë, për çka edhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e bazuar.

Po ashtu, ky rast ishte kthyer edhe një herë në rigjykim, pasi që Gjykata Supreme, e kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i kishte dënuar Besnik Latifin, Gazmend Halitin, Milazim Haxhiajn, Enis Latifin dhe Fehmi Musën, për kryerje të veprës penale që ndërlidhet me terrorizëm.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të parë, kishte shpallur të akuzuarit fajtorë më 18 korrik 2016, ndërsa aktgjykimin e Themelores e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, më 29 nëntor 2016, duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës e Enis Latifit.

Me aktgjykimin e parë, Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet, ndërsa Fehmi Musa me 4 vjet burg.

Ndërsa, për herë të dytë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik 2017, të akuzuarit Besnik dhe Enis Latifi, si dhe të akuzuarit Haliti dhe Haxhiaj i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa tani të akuzuarin Musa e kishte dënuar me tre vjet burgim.

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi, akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, Fehmi Musa për ndihmë për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.

Marre nga GazetaBlic

Loading...