Aktualitet Lajme

Pakti sekret i 17 Majit/ 2 vite nga marrëveshja, Basha duket se kërkon zbatimin e plotë

Loading...

Mbushen plot dy vite kur dy liderët aktualë të politikës shqiptarë, kryeministri Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, arritën një pakt mes tyre.

Javët e protestës nën çadër poshtë dritares së Ramës kulmuan me një tryezë bisedimi partiake, e cila në fund përfundoi në një takim disa orësh kokë më kokë mes Ramës dhe Bashës.

Nga takimi shumë dashamirës mes tyre lindi qeveria e përbashkët, e cila do përgatiste zgjedhjet që po vinin.

Demokratët morën drejtimin e disa ministrive kyçe të kësaj qeverie që vetëm de jure drejtohej nga Rama, i cili ato muaj pothuajse nuk u shfaq në godinën e Kryeministrisë duke lënë violinë të parë ish-zëvendës kryeministren e zgjedhur nga PD.

Pakti prodhoi një fushatë elektorale të qetë, me tone të ulëta mes PD dhe PS dhe më një gjuhë të ashpër ndaj LSI së Ilir Metës, e cila në sytë e njerëzve po shfaqej si opozita e vetme.

Pakti Rama-Basha megjithatë nuk u zbardh plotësisht. Apo të paktën kështu mendojnë ata që analizojnë sjelljen politike të dy figurave qendrore të politikës shqiptare. Nuk u desh shumë kohë që dialogu të kthehej në konflikt verbal deri edhe në protesta me molotov.

Sjellja argesive me braktisje të Kuvendit, rrethim të institucioneve dhe përplasje ka risjellë në vëmendjen e njerëzve gjuhën luftarake që Basha përdorte kundër Ramës para paktit të majit të vitit 2017. Diçka ka ndodhur dhe Basha nuk e fsheh aspak se Rama nuk i qëndroi paktit.

Duket se Basha po kërkon zbatimin e një marrëveshje e cila mbeti në pjesën më të madhe të saj e pazbardhur. Të dy liderët tani janë në pozicione lufte, ndërsa ka nje lëvizje tjetër të vakët, sponsorizuar nga ndërkombëtarët për të arritur një marrëveshje serish apo për të rikthyer të dy autorët e paktit të 17 majit në zbatimin e te gjitha pikave që kanë rënë dakord në takimin kokë me kokë mbrëmjen e dy viteve më parë.

 


Top Channel

Marre nga Top Channel

Loading...