Nuk mund të ul në tryezë Ramën dhe Bashën –

Presidenti i Republikës Ilir Meta tha sot se e ka të pamundur të ulë në tryezë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, për shkak të qëndrimeve të tyre të palëkundura për krizën.

“Shpesh dëgjoj edhe njerëz që thonë çfarë bën Presidenti i Republikës? Presidenti ka bërë dhe bën maksimumin duke respektuar frymën e Kushtetutës, por Presidenti nuk mund të ulë në tavolinë dy apo tre njerëz që thonë ne nuk ulemi me këtë se është Kryeministër, apo edhe me dikë tjetër që thotë që 30 Qershori do të jetë një ditë suksesi e madhe për demokracinë në Shqipëri, në këto kushte që jemi. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët, vendas dhe ndërkombëtarë. Kërkon paanësi dhe gjithashtu kërkon të kemi parasysh që një situatë me probleme në Shqipëri nuk na ndikon në perspektivën e gjithë rajonit, edhe të çështjeve që do të adresohen”.

“U bë një Kushtetutë për të parandaluar një ’97. Pra për të parandaluar, menaxhuar, për të pasur instrumente të cilat mund të dalin jashtë kontrollit dhe njëkohësisht edhe një rrëshqitje të demokracisë drejt humnerës edhe anarkisë. Në vitin 2008, mos harrojmë për 2 ditë një Kushtetutë e bërë me aq sakrifica, ia hoqëm të gjitha vidat, kontroll, balancë, llogaridhënie dhe kaluam nga një sistem parlamentar, akoma e kemi republikë parlamentare, kemi kaluar në një sistem të mbyllur partiak. Kjo është e vërteta, përse në sot kemi këtë situatë ku parlamenti nuk është se nuk është thjeshtë sot funksional, për arsye se dy partitë të opozitës në mënyrë të papranueshme, të pajustifikueshme kanë lënë mandatet e tyre, por ka qenë jo funksional edhe kur kanë qenë ata, që të jemi fare të qartë dhe fare të hapur.”

Kreu i shtetit shprehu shqetësim edhe për vonesën e reformës në drejtësi ndërsa nuk i kurseu kritikat edhe për misionet ndërkombëtare.

Tv Klan

Marre nga TvKlan