KOSOVA Lajme

Në dy vitet e fundit rriten divorcet në Kosovë ndërsa rriten divorcet, por fillim ndryshe në 2019

Loading...

Dita ndërkombëtare e familjes e cila është shpallur me 15 maj nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes. Familjet në ditët e sotme ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, mirëpo familja prapë mbetet institucioni i një shoqërie të shëndosh.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë tri viteve të fundit kanë ndodhur 39 mijë e 390 kurorëzime. Ndërsa po ashtu sipas ASK-së gjatë këtyre tri viteve 1 mijë e 520 çifte janë shkurorëzuar.

“Gjatë vitit 2017 janë kurorëzuar 17.406 çifte, ndërsa janë shkurorëzuar 674 çifte. Gjatë vitit 2018 janë kurorëzuar 16.956 çifte, ndërsa janë shkurorëzuar 713 çifte”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.


Ndërsa në këtë raport janë shfaqur shifrat e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2019, shifra këto të cilat dallojnë dukshëm me tre muajt e parë të dy viteve paraprake.

Në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë rritur kurorëzimet më shumë se sa në tre muajt e parë të viteve 2018 dhe 2017. Po ashtu në tre muajt e parë të 2019 janë zvogëluar shkurorëzimet në krahasim me tre muajt e parë të viteve 2018 dhe 2017.

“Në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë kurorëzuar 5028 çifte, shifër kjo e cila është më e lartë se sa dy vitet paraprake, ku në vitin 2018 ishin kurorëzuar 4958 çifte, ndërsa në vitin 2017 ishin kurorëzuar 4678 çifte. Kurse në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë shkurorëzuar 133 çifte, shifër kjo e cila është më e vogël se në dy vitet e kaluara, ku në tre mujorin e parë të vitit 2018 janë shkurorëzuar 216 çifte, ndërsa në tre mujorin e parë të vitit 2017 janë shkurorëzuar 217 çifte”, thuhet në raportin e statistikave.

Sociologu Arianit Behrami ka thënë se në Kosovë pavarësisht ndryshimeve të shumta, shoqëria ka arritur ta ruaj kontinuitetin e mënyrës së jetesës.

Në një deklaratë për Telegrafin, Behrami ka theksuar se historia e familjeve kosovare është e dhimbshme.

“Familja konsiderohet si njësia themelore e shoqërisë dhe si përkufizim më të përafërt mund të themi se familja është bashkësi e personave të një gjaku, të cilët jetojnë bashkërisht. Nisur nga kjo mund të themi se edhe te ne, shoqëria jonë pavarësisht ndryshimeve të shumta shoqërore ka arritur në masë të madhe ta ruaj kontinuitetin e kësaj mënyre të jetesës. Historia e familjes sonë, në shoqërinë tonë është shumë e dhimbshme, sepse çdo herë jemi përballur me pushtuesin dhe sunduesit e shumta të cilët e kanë penguar emancipimin e shoqërisë sonë, e kanë shtypur njeriun dhe familjen duke ia mohuar të drejtat elementare, e në këtë rast kjo ka bërë që të forcohen edhe më shumë lidhjet emocionale dhe familjet të qëndrojnë sa më të bashkuara, që ta ndihmojnë njëra – tjetrën, drejt një synimi, apo qëllimi që ishte liria”, ka thënë ai.

Sipas tij shoqëria kosovare ende e konsideron familjen si institucion të shenjtë duke u bazuar në disa faktorë.

“Pas përfundimit të luftës, meqë rrethanat shoqërore kanë ndryshuar ka ndryshuar edhe pak a shumë mënyra e jetesës. Trendi i modernizmit edhe pse ka ardhur me vonesë në Kosovë, e ka prekur shoqërinë kosovare. Por, megjithatë shoqëria jonë institucionin e familjes e konsideron si të shenjtë dhe familjet qëndrojnë të bashkuara. Tani në këto rrethana, e gjithë kjo vjen si rezultat i përballjes me faktorë të shumtë, kryesisht faktorët ekonomik dhe social”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera, Behrami ka thënë se familja kosovare përballet me një mori problemesh.

“Në radhë të parë janë problemet sociale dhe ekonomike. Papunësia dhe mungesa e mirëqenies, janë ndër problemet kryesore që e preokupojnë familjen kosovare. Nga prizmi sociologjik, problemet e lartë përmendura, ndikojnë në shumë drejtime, e në këtë mes edhe te shkurorëzimet, duke sjellë situata tepër stresuese për të gjithë pjesëtarët e familjes që e përjetojnë atë. Problem shqetësues mbetet ai i fëmijëve të të shkurorëzuarve, të cilët kundrejt fëmijëve të familjeve të tjera bëjnë një jetë më të stresuar”, ka deklaruar ai duke shtuar se problemet në familje reflektohen edhe te shoqëria, që sipas tij duke bërë që të shfaqen devijanca të ndryshme në marrëdhëniet shoqërore.

Marre nga GazetaBlic

Loading...