Mkhitaryan jashtë, tensione politike para finales në Europa League –

Henrikh Mkhitaryan nuk do të grumbullohet nga Arsenali për finalen e Ligës së Europës që do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit. Lajmi që qarkullonte prej kohës është konfirmuar nga klubi londinez, ndërsa arsyet e këtij vendimi kanë ndezur polemikat dhe kanë rritur tensionet. Për shkak të origjinës armene dhe përplasjeve historike mes vendit të tij dhe Azerbaixhanit, Arsenali vendosi që “për arsye sigurie” të lerë futbollistin jashtë finales së 29 majit kundër Chelsea.

Henrikh Mkhitaryan
Henrikh Mkhitaryan

Ky vendim, por mbi të gjitha arsyeja ka shkaktuar një valë indinjate në Angli. Po ashtu, nuk është pritur mirë edhe nga organizatorët që kanë reaguar shpejt dhe shumë fort. “Në akord të plotë me UEFA-n kemi njoftuar Arsenalin se jemi në gjëndje të garantojmë sigurinë e Mkhitaryan. Kjo pasi ne jemi gjithmonë në gjëndje të ndajmë një event sportive nga politika”, ka thënë sekretari i federatës së futbollit në Azerbajxhan, Elkhan Mammadov. Kjo çështje i ka kaluar kufijtë sportivë, duke sjellë edhe reagimin e diplomacisë.

Edhe ambasadori i Azerbajxhanit në Britaninë e Madhe e ka cilësuar si pakuptim vendimin e Arsenalit. “Finalja e Europa League është një ngjarje e madhe sportive. Nëse dikush do ta kthejë në çështje politike, kjo është diçka tjetër. Duhet të lemë mënjanë politikën, sepse po flasim për një atlet dhe për sport”, është shprehur për mediat angleze ambasadori azer në Londër.
(balkanweb)

Marre nga Balkanweb