KOSOVA Lajme

Kandidatët shqiptarë për kryetarë në veri paralajmërojnë fushatë të qetë

Loading...

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës e cila do të zgjasë pesë ditë, ka filluar sot.

Kandidatja për kryetare të Mitrovicës së Veriut nga radhët e PDK-së, Gonxhe Çaushi, e cila ka vizituar sot bizneset në ‘Lagjen e boshnjakëve’, u shpreh e gatshme për garën, duke thënë se pret një fushatë të qetë, korrekte dhe demokratike.

“Presim që gjithçka të shkojë mirë, qetë, dhe në mënyrë dinjitoze, si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Pres po ashtu që numri i votuesve shqiptarë të jetë më i madh, ndërsa të zvogëlohet numri i qytetarëve serbë për shkak të mos pjesëmarrjes në garë të opozitës”, ka thënë për KosovaPress Çaushi.


Edhe kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, parasheh fushatë të qetë dhe dinjitoze.

Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se gjatë ditës së sotme do të takojë qytetarët e lagjeve të ndryshme të veriut, për t’u njohur nga afër me shqetësimet dhe problemet e tyre, derisa tha se do të prezantojë para tyre edhe prioritetet e Lëvizjes ndaj qytetarëve.

“ I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila do të kujdeset që të rritet mirëqenia dhe cilësia në shërbime për qytetarët. Qeverisja lokale duhet ta lehtësojë jetën e lagjeve dhe fshatrave, andaj dhe ne angazhohemi maksimalisht për një gjë të tillë”, tha Atiq.

Ndërkaq, politologu, Musa Preteni, zgjedhjet i sheh vetëm si një lojë politike të orkestruar nga Beogradi, me qëllimin e vetëm mos lejimin e kthimit të normalitetit politik në veri.

Sipas tij, edhe pas zgjedhjeve, rezultati i të cilave dihet, gjendja në veri do të jetë e njëjtë. Ai sqaroi se pozicioni politik i Listës Serbe vetëm sa do të forcohet, dhe kjo në të ardhmen do t’u jep mundësi kryetarëve të komunave që sërish të ndërmarrin veprimet e njëjta për paralizimin e jetës politike në atë pjesë.

“Këto zgjedhje janë vazhdë e një loje politike të orkestruar nga Beogradi me qëllimin e vetëm moslejimin e kthimit të normalitetit politik në veri. Pas këtyre zgjedhjeve rezultati i të cilave dihet, që do të fitohen nga Lista Serbe, gjendja në veri do të jetë e njëjtë. Pra këto zgjedhje nuk do të japin asnjë zgjidhje politike për këtë pjesë, por vetëm do të përforcojnë pozicionin politik të Listës Serbe, respektivisht Beogradit zyrtar. Kjo u jep mundësinë kryetarëve të ardhshëm që kurdo herë të ndërmarrin veprimet e njëjta për paralizimin e jetës politike në atë pjesë”, u shpreh Preteni.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë edhe kandidatin e Listës serbe, Goran Rakiq, por pa sukses.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit, do të zhvillohen në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa të drejtë vote kanë gjithsej 58.520 qytetarë, përkatësisht në Mitrovicën Veriore 22 mijë e 242, në Leposaviq 18 mijë e 390, në Zveçan 9 mijë e 276 dhe në Zubin Potok të drejtën e votës e kanë 8 mijë e 612 persona.

Marre nga GazetaBlic

Loading...