Javë e nxehtë në Shqipëri, zhvillimet kryesore që do të ndodhin –


Ndërkohë që situata në vend vazhdon të jetë e ndezur, java që nisim sjell disa lëvizje të forta në pritje të protestës së ditës së shtunë. Nga prokuroria, tek opozita dhe opozita e re, ja çfarë na pret.

Pas shumë zhvillimesh në skenën politike shqiptare, e diela duket sikur solli pak qetësi, ndërkohë që maji vazhdon të jetë i ftohtë vetëm kur bie fjala për motin. Temperaturat që ka sjellë kriza politike vazhdojnë të jenë të larta, me zhvillime interesante që do të kulmojnë të shtunën me protestën e madhe të thirrur nga opozita, sërish në orët e vona të pasdites.

Lëvizjet e prokurorisë

Kur ishte menduar se e shtuna nuk do prodhonte ndonjë lajm për redaksitë e Tiranës, u mësua se organi i akuzës, i kritikuar nga opozita dhe ndërkombëtarët për qasjen ndaj dosjeve të abuzimeve zgjedhore, nisi të lëvizë.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ishte thirrur për 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku i është marrë një deklaratë në lidhje me çështjen “Vol-vo 4”. Gjatë hetimeve të çështjes së bujshme, për të cilën janë arrestuar edhe dy ish-deputetë, dolën disa përgjime ku emri i kryebashkiakut Dako përmendej në afera për shitblerje votash. Këtë javë, dosja 339 dhe ajo 184 pritet të rikthehen më fuqishëm se kurrë në diskursin politik.

Opozita dhe ndërkombëtarët

Pasi e ka parë veten vazhdimisht nën kritikat e forta të ndërkombëtarëve për çështjen e lënies së mandateve dhe për protestat e dhunshme, opozita ka nisur të lëvizë vetë, duke trokitur në kancelaritë ndërkombëtare.

Vetë Lulzim Basha ka vizituar Londrën, një qendër të rëndësishme të politikës vendimmarrëse botërore, duke zhvilluar takime me disa drejtues me peshë.

Burimet thonë se takimet e rëndësishme nëpër kancelari ndërkombëtare do vazhdojnë.

Frustrimi i opozitës së re

Jeta nuk ka nisur dhe aq mirë për opozitën e re dhe sidomos për partinë Bindja Demokratike. Pasi u akuzuan se kanë falsifikuar firmat për të formuar partinë, tashmë ata janë nën akuzë për regjistrim të kandidatëve në mënyrë të paligjshme.

Beteja e fortë po zhvillohet mes Bindjes Demokratike dhe selisë blu. Por kur ishte menduar se kjo betejë do mbetej deri këtu, Bindja Demokratike ka nisur të akuzojë edhe kryeministrin Edi Rama se po prish zgjedhjet.

Të gjendur gjithmonë përpara rrezikut të një marrëveshjeje të mundshme, drejtuesit e opozitës së re e dinë se jeta e tyre mund të jetë shumë më e shkurtër në politikë nga sa e kishin menduar, duke sjellë frustrim.

Sidomos situata është acaruar pasi PD dhe LSI thanë se do regjistrohen në KZAZ.

Beteja e radhës në KQZ

U bënë javë që e shihnim opozitën jashtë institucioneve, por që kur kërkoi regjistrimin nëpër KZAZ, opozitën po e shohim edhe në institucione. Këtë herë debatet po zhvillohen në KQZ. Këtë javë pritet që të ketë sërish debate mes PD dhe PS për çështjen e regjistrimit të komisionerëve.

Socialistët nisin të flasin

Edhe pse nuk janë aq shumë të zëshëm sa ishte menduar në fillim, sërish brenda të majtës kanë nisur të lëvizin gjërat. Të paktën dy-tre figura të majta kanë nisur të jenë aktivë me komentet e tyre në opinionin publik. Arben Malaj, Arta Dade, ish-zëvendësministrja Irena Beqiraj apo edhe Ditmir Bushati, kanë nisur të thumbojnë qeverisjen e Edi Ramës.

A pritet të bëhen më të fortë këta zëra gjatë ditëve në vijim? Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa opozita ka bërë jo pak herë thirrje se është gati që të bisedojë me pjesën e shëndetshme të socialistëve. Rilindja përjashtohet nga këto thirrje.

Zgjedhjet europiane

Pavarësisht se Shqipëria po zien, shanset që të huajt, të paktën ata europianë, të hedhin sytë nga vendi ynë, mbeten sërish të vakëta. Kjo për shkak se java që vjen sjell edhe zgjedhjet europiane, mes frikës se partitë populiste do të fitojnë terren ndjeshëm. Kjo është arsyeja se përse Shqipëria, por sidomos qeveria, do i ndjekë me vëmendje këto zgjedhje. Nëse partitë antiestablishment do të arrijnë rezultate të mira, ky do ishte një lajm i keq për ambiciet e Shqipërisë që vendi të hapë negociatat së shpejti.

Rrjetet sociale

Ndërsa politika vazhdon të dominojë diskutimet e përditshme, tri çështje kanë dominuar në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve dhe pritet që të vazhdojnë të jenë çështje kryesore.

E para është dhënia me koncesion e rrugës Tiranë- Durrës. Vendimi i mundshëm ka shkaktuar mjaft zemërim dhe në rrjet ka nisur një lëvizje kundër këtij koncesioni.

Se sa do shtohet kjo lëvizje, mbetet për t’u parë. E dyta ishte humbja e gjyqit të Arbitrazhit me biznesmenin italian, Françesko Beketi. Fakti që qeveria shqiptare mund të paguajë mbi 100 milionë euro dëmshpërblim, për atë që komentuesit e quajnë një tekë të Edi Ramës, po ashtu ka sjellë mjaft zemërim. Së treti, orët e fundit po diskutohet shumë për skandalin e shpërthyer në Austri, ku një përgjim solli tërmet politik, duke rrëzuar qeverinë. Përse nuk ndodh kështu edhe në Shqipëri, pyesin shumë komentues.

Një protestë studentore?

Në datë 22 maj është paralajmëruar një protestë studentore. Por a është kjo një protestë e madhe dhe e sinqertë e studentëve? Kjo mbetet për t’u parë, edhe pse më shumë ajo është pompuar nga politika në vend. Megjithatë, java u mbyll me një reportazh nga ZDF gjermane, ku thuhet se studentët janë sërish të gatshëm për protesta.

Me sytë nga mediat e huaja

Mediat e huaja vazhdojnë të jenë të rëndësishme për opinionin publik në Shqipëri. Sidomos në pararojë duken mediat gjermane, që jo vetëm po denoncojnë, por edhe po e përgatisin opinionin dhe politikën gjermane me informacione se çfarë po ndodh në Shqipëri. Më interesant deri më tani ka qenë një raportim i gazetës më të madhe gjermane, Bild. Thuhet se ajo do të vazhdojë shkrimet me ‘dorë të rëndë’.

Protesta e 25 majit

Përpara se opozita të dalë sërish në një protestë të madhe pasdite, disa prej të arrestuarve të saj për protestën e parë të madhe, atë të 16 shkurtit, pritet të dalin sërish përpara togave të zeza.

Tensioni që do shoqërojë vendimin e tyre dhe të gjitha këto zhvillime të pritshme vetëm sa do e karikojnë situatën përpara ditës së shtunë.

Marre nga TPZ.al