Ish ushtarët e UÇK-së në Han të Elezit kujtojnë ditën e çlirimit –

11:11, 12 Qershor 2019

Datën e 12 qershorit të vitit 1999 nga pika doganore në Han të Elezit e kanë kujtuar dy ish ushtarë të UÇK-së nga kjo komunë, Menduh Brava dhe Mexhait Kalisi.

Ata për kanë treguar se si janë ndjerë në këtë ditë të 20 vjetëve më parë.

“Ka qenë ditë e veçantë për UÇK-në. Erdh dita që të vinim në qytet. Më 11 qershor në ora pesë e gjysmë dy grupe jemi  lëshuar në qytet, kemi kontrolluar vendin, kemi hasur në disa forca serbe që kanë mbetur për të plaçkitur shtëpitë. Në jemi konfrontuar me ta dhe të njëjtit kanë ikur për në Maqedoni. Kemi bërë kontrollin e qytetit tonë pas luftës”.

“Me ndërkombëtarët takimi ka qenë shumë miqësor. Jemi takuar me komandantin e asaj kohë Michael Jackson. Ka pas shumë gazetarë të huaj që s’kanë mundur të futen në zonën e luftës e ata pas çlirimit kanë qarë më shumë se ne”.

“Kur i kemi parë forcat e NATO-s këtu jemi gëzuar shumë se e kemi ditur që veç ne si UÇK nuk mund ta bënim çlirimin e Kosovës se nuk e patëm dot kapacitetin e duhur”.

“Më 12 qershor jemi takuar me forcat e KFOR-it dhe atë ditë kemi qenë të armatosur dhe nuk e kemi ditur për marrëveshjen e arritur ku ne nuk duhej të ishim me armë. Më pas jemi kthyer në bazë dhe i kemi lënë armët aty si dhe kemi dalë në qytet dhe i kemi kontrolluar shtëpitë dhe më pas i kemi lajmëruar që mund të kthehen nëpër shtëpitë e tyre dhe se nuk ka rrezik ose mina”, kanë deklaruar ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fotografitë e mëposhtme shihet edhe takimi i këtyre dy ushtarëve me forcat e KFOR-it.

Marre nga KlanKosova