I akuzuari pranon se vodhi 105 euro, dënohet me tre muaj burgim efektiv

Vetëm një ditë pasi nga Gjykata Themelore në Gjakovë, ishte dënuar me katër muaj burg efektiv, pasi e kishte pranuar fajësinë për vjedhjen e 140 eurove, i akuzuari Skender Radonqiq, është dënuar edhe të mërkurën nga Gjykata në Klinë.

Në aktgjykimin e shpallur të mërkurën nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, i akuzuari për vjedhje, Skender Radonqiq, është dënuar me tre muaj burg efektiv.

Në aktgjykimin e shpallur të mërkurën, gjithashtu, ai është dënuar edhe me 300 euro gjobë me kusht.


Në seancën fillestare, i akuzuari Radonqiq, ka kërkuar që të mbrohet përmes avokatit, me ç’rast gjykatësja Sabrije Rraci, sipas detyrës zyrtare i ka caktuar mbrojtësin, Marjan Ndrecaj.

Ndërsa, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, si dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, i akuzuari Radonqiq, e ka pranuar fajësinë, për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Jam pendu, për këtë vepër qe e kam kry, këtë vepër e kam kry për shkak të rrethanave familjare që i kam”, ka deklaruar i akuzuari.

Ndërsa, avokati Ndrecaj, ka deklaruar se i mbrojturi i tij, e ka pranuar fajësinë dhe thellësisht është i penduar.

“I njëjti më premtoj gjatë konsultimit se me këto marifete nuk do të merret më kurrë”, ka deklaruar avokati.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim me kusht, duke u bazuar në rrethanat familjare të tij, si dhe të njëjtin ta detyrojë që të dëmtuarës t’ia kompensojë dënim e shkaktuar.

Ndryshe, i akuzuari Radonqiq, ka deklaruar se është në vuajtje të dënimit edhe për vepra tjera penale, duke shtuar se më 21 maj 2019, është dënuar edhe nga Gjykata Themelore në Gjakovë, me katër muaj burg efektiv, si dhe dënim me gjobë prej 300 euro.

Prokurori Gashi, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke thënë se ky pranim është i bazuar në shkresat e lëndës.

Ndërsa, gjykatësja Rraci, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Skender Radonqiq, po akuzohet sepse më 26 shkurt 2019, rreth orës 11:58, në rrugën “Ymer Berisha”, në Klinë, pikërisht në butikun “Dona”, me qëllim të përvetësimit të dobisë pasurore të kundërligjshme, për vete apo për personin tjetër, në atë mënyrë që pasi i pandehuri hynë në këtë lokal, kërkon nga shitësja- e dëmtuara Flora Dedaj, që t’ia përgatisë disa dhurata me rroba.

Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara shkon në depo më qëllim që t’ia përgatisë edhe dhuratën  tjetër, në ato momente i akuzuari shfrytëzon mos prezencën e të dëmtuarës, dhe nga sirtari i tavolinës ia merr portofolin brenda së cilës e dëmtuara kishte kartëmonedhat 2×20 €, 4×10 €, 1×5 €, dhe 20 euro para të metalit, gjithsej 105 euro, dhe më pas largohet në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarës i shkakton dëm material, në shumë të përgjithshme prej 105 euro.

Për shkak të këtyre veprimeve, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “Vjedhja”, nga neni 325, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, një ditë më parë, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar me katër muaj burg efektiv dhe 300 euro gjobë, të akuzuarin Radonqiq, i cili gjithashtu e kishte pranuar fajësinë për vjedhjen e 140 eurove.  /Betimipërdrejtësi

Marre nga GazetaBlic