Lajme

Erion Veliaj lë në harresë rrugët e lagjeve periferike dhe fshatrave –

Loading...


Ndërsa rrugët kryesore të Tiranës janë kthyer në kantier ndërtimi, mjaft rrugë dytësore, mes lagjeve periferike, janë lënë në harresë. “Porta Vendore” bëri një vëzhgim disamujor në disa nga lagjet e kryeqytetit e më gjerë, vëzhgim të cilit iu bashkëngjitën edhe mbi 20 ankesa të mbërritura nga vetë qytetarët në platformën “Porta Vendore”, për të sjellë qartësisht se si është situata e infrastrukturës rrugore në disa nga rrugët dytësore të lagjeve periferike e të qendrës së Tiranës.

Të zhytura mes baltës, gropave me ujë, dhe pa ndriçim, ato janë kthyer në makthin e banorëve të zonës. Situata bëhet më dramatike nëse tenton e futesh në lagjet e reja, siç është ajo e Astirit, ku banorët dalin nga shtëpia edhe me një palë këpucë rezervë, ose të shkosh më tutje, pikërisht në zonat e ish-komunave, që tashmë administrohen nga Bashkia e Tiranës.

Beqir Sina, që prej 25 vitesh jeton në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”. Ka parë shumë ndryshime në Tiranë, por rrugica që kalon përpara pallatit të tij vazhdon të notojë në pellgje balte gjatë dimrit, e një pluhuri të keq gjatë verës.

“U bënë nja 5 vjet që nuk është vënë dorë fare, ndërsa kështu hidh nga një karrocë zhavorr e mbyll një gropë, vijon që sa nuk mbahet mend. Di të them që unë banoj në këtë zonë që prej 25 vitesh dhe kjo rrugë nuk është rikonstruktuar asnjëherë, veç i janë vendosur arna”, rrëfen Beqiri, duke treguar rrugën, e cila nuk ka as emër, por ndodhet pas bllokut të pallateve në cep të rrugës nga shkolla “Vasil Shanto” e deri te kryqëzimi i rrugës “Medar Shtylla”. “Erdhën e bënë këtë korsinë e biçikletave. Shumë mirë! Po për ne a mendon njeri se ku kalojmë çdo ditë”, pyet me të drejtë Beqiri. Por rruga është kthyer në një shqetësim jo vetëm për Beqirin, por edhe për shumë banorë të tjerë që jetojnë në këtë lagje. “Një ditë, një makinë ra në një nga gropat, e cila nuk dallohej se ishte e mbushur me ujë. Të gjithë pasagjerët ulëritën me të madhe pasi menduan ku ranë, aq e thellë ishte gropa”, na thotë Vera, një tjetër banore, që i duhet të kalojë çdo ditë në këtë rrugë.

Në vëzhgimin e kryer, rezultuan me dhjetëra rrugë në kryeqytet në të njëjtën gjendje të mjerueshme. Pamjet e rrugëve të lagjeve lënë vërtet për të dëshiruar. Ato të lagjeve të vjetra të Tiranës ndodh edhe që të kenë asfalt, por janë të amortizuara, me gropa të mëdha të shkaktuara nga mosmirëmbajtja, me kanale kulluese që nuk funksionojnë, me trotuare të dalë krejtësisht jashtë përdorimit. Por ato rrugë duken “lule”, krahasuar me katrahurën ku duhet të kalojnë çdo ditë mijëra banorë të lagjeve të reja, ku pallatet sa vijnë e shtohen çdo ditë.

Violeta, që prej 10 vitesh jeton në rrugën “Abraham Linkoln”, një nga lagjet e reja e më të populluara në Tiranë, atë mbi qendrën “Kristal”, në njësinë e re administrative nr. 13. E konsideruar një ndër zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, ku metri katror shitet me një mesatare prej 800 euro, rrugicat mes pallateve janë një mjerim i vërtetë. “Ç’të të them. A mund të konsiderohet rrugë kjo? Në dimër është gjithë baltë, në verë pluhuri nuk na lë të hapim një dritare. Nuk mund të dalim nga shtëpia”, – na thotë Violeta, e cila na tregon se për 8 vite ka jetuar në Laprakë, por as kjo lagjja e re ku po jeton aktualisht nuk është se ndryshon shumë.

“Unë jam nga Korça, kam jetuar për disa vite në Pogradec dhe për ne ka qenë e vështirë të përballemi me një ambient të tillë përpara pallatit, pasi nuk na ka munguar kurrë mjedisi i rregulluar. Fillimisht erdhëm në Laprakë, por rrugët ishin shumë keq. Para 10 vitesh erdhëm këtu për më mirë, por as këtu nuk është në rregull. I kemi dërguar letra njësisë bashkiake, jemi mbledh si banorë, por nuk kemi një përgjigje. Erdhën dhe shtruan atë rrugën aty para, por këtu nuk u fut njeri”, rrëfen më tej për Portën Vendore, Violeta.

Irma është banore e vjetër e Tiranës. E lindur dhe rritur në zonën e njohur si Xhamlliku, në rrugën “Teli Ndini” nuk mban mend qëkur nuk ka parë që të ndërhyhet për të mirëmbajtur rrugët brenda lagjes. ” Ka vite që nuk po shtrojnë rrugën kryesore, e jo më këto brenda pallateve. Rrugët e lagjes janë bërë si mali me gropa, por askush nuk ka vënë dorë prej vitesh. Na kanë harruar krejtësisht”, thotë ajo për Portën Vendore.

Asnjë karrocë zhavorr nuk është hedhur prej kohësh, as në rrugët e brendshme të disa prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit, siç është ajo përreth zonës që ndodhet shkolla e Kuqe, deri tek rruga kryesore “Hoxha Tahsim”. Me rrugica të ngushta, me shtëpi të vjetra karakteristike tiranase, sigurisht që edhe pallate të reja, në të njëjtën situatë, të lënë krejtësisht pas dore janë edhe rrugët e brendshme që ndodhen në bllokun e banimit mes rrugës “Hoxha Tahsim” dhe bulevardit “Bajram Curri.

“Gjon Krisli” është një tjetër rrugë e harruar nga pushteti lokal . E ndodhur në zonën e Saukut të Vjetër, rrugët thuajse janë rrënuar krejtësisht dhe banorët nuk dinë se kujt ti ankohen. “Është thuajse e pakalueshme rruga, u bënë kohë që askush nuk kujtohet që t’i hedhë së paku një dorë zhavorr. Ndërkohë që aty kalojnë edhe banorët e zonës, por edhe makinat. Kemi dërguar letra ankesa në bashki, por edhe kryeplakut të fshatit, por ende asnjë zgjidhje”, na thotë njëri nga banorët e rrugës “Gjon Krisli”.

Rruga Rreli që ndodhet në njësinë administrative nr. 13, afër kopshtit botanik, është një rrugicë qorre. Si e tillë banorët e zonës kanë pak shpresa që ajo të mund të futet ndonjëherë në projektet e bashkisë për rehabilitim. Por për ata që i duhet ta kalojnë çdo ditë këtë rrugë është problem. “Ndriçim nuk ka, ambienti është fare i pa mirëmbajtur, rruga po ashtu është e pashtruar…Ku jetojmë këtu”, ankohen banorët.

“Ali Baushi” ndodhet ngjitur me gjimnazin “Çajupi” por fare mirë do të mund të quhej edhe “rrugica që kërkon diell”. Na merr frika kur dalim nga shtëpia”, i thotë “Portës Vendore” një çift të moshuarish. “Tubacionet e ujit janë çarë, rruga është gjithë gropa, dhe në dimër është edhe më keq, pasi ngrinë akull e ne kemi shumë frikë se mos rrëshqasim e rrëzohemi, kur ka shi na futet balta në shtëpi. Që pas demokracisë, kanë ardhur e kanë mbushur ndonjë gropë, por për ti shtruar e rregulluar me kanalizime nuk bëhet fjalë”, na thonë ata.

Loading...

Në të njëjtën situatë alarmante ndodhen edhe rruga “Lidhja e Prizrenit” që ndodhet të garda, e po ashtu edhe të gjitha rrugët dytësore brenda bllokut të banimit te posta nr. 8 në Tiranë, te Sheshi Ëilson. Por zona e Unazës së Re dhe ajo e Astirit është më problematikja.

Ndonëse është bërë një lagje super e populluar këto dy dekadat e fundit, me pallate e lokale luksoze, rrugët janë në gjendje të mjerueshme. Për ndriçim as që bëhet fjalë, mungojnë krejtësisht kanalizimet, ndërkohë që shumica furnizohen me ujë pusesh. “Ne kemi ardhur nga Dibra për më mirë, por këtu është mjerim”, na thotë Mira, banore e kësaj zone dhe që ka dy fëmijë në shkollë. “Për të luajtur fëmijët as që bëhet fjalë, se këtu ka vetëm llucë e gropa. Peshkopisë i vjen anash këtu ku jemi ne. Kur dalim nga shtëpia marrim edhe një pale këpuce rezerve, se te ngjitet balta pas këpucës dhe nuk ke ku shkon me to…Kopshte publike nuk ka, shkollë është vetëm një, kanalizime nuk ka, ndriçim nuk ka…por ama taksat i duan, tarifat i duan…paguaj taksë gjelbërimi unë, për kë e paguaj? Se këtu nuk ka një rrugë të shtruar e jo më lulishte. Është një tmerr i vërtetë!”, përfundon ajo.

Bashkia Tiranë hesht

Porta Vendore iu drejtua dy herë Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informim për të ditur nëse për rrugët e evidentuara gjatë vëzhgimit ka një plan rehabilitimi apo jo, dhe nëse po kur do të nisë ky plan, por pavarësisht përpjekjeve për marrjen e një përgjigjeje, Bashkia Tiranë nuk dha një prononcim lidhur me këtë çështje. Gjithsesi, Porta Vendore kreu verifikim edhe për buxhetin e miratuar nga Bashkia e Tiranës për vitin 2019.

Në foto: Tabela për investimet e parashikuara të Bashkisë Tiranë në Menaxhimin e Rrugëve dhe Transportit Rrugor

Nga verifikimi, ashtu siç tregohet edhe në tabelë, rezulton se Bashkia Tiranë, për vitin 2019 ka planifikuar investime në vlerë 2 miliardë e 664 milionë lekë të reja për menaxhimin e rrugëve dhe transportit rrugor. Megjithatë, në këtë buxhet nuk deklarohet se ku janë planifikuar këto investime, por vihet re se nuk është planifikuar asnjë investim për rrugët rurale. Investimet për këtë vit janë ndarë konkretisht rreth 2.3 miliardë lekë të reja nga aparati i Bashkisë, 257 milionë lekë të reja nga Drejtoria e Përgjithshme nr. 2 e Punëtorëve të Qytetit dhe 84 milionë lekë të reja nga Tirana Parking.

Porta Vendore

 

Marre nga TPZ.al

Loading...
SuperDyqani