KOSOVA Lajme

Dogana konfiskoi rreth 1 milion euro mallra të falsifikuara

Loading...

Nën dyshimin për falsifikim të mallrave dhe markave tregtare, Dogana e Kosovës, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, ka zbuluar dhe konfiskuar mallra të llojllojshme në vlerë prej afër 1 milion euro.

Falsifikimi i mallrave përbën shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale e industriale.

Sipas Doganës, në mesin e produkteve më të prekura nga falsifikimet në Kosovë, janë veshmbathjet, produktet kozmetike, produktet ushqimore dhe pijet, medikamentet, telefonat mobilë, pajisjet elektrike dhe pjesët rezervë për automjete.


Në një përgjigje me shkrim të këtij institucioni, thuhet se në periudhën janar-prill 2019, janë zbuluar 155 raste nën dyshimin për shkelje të pronësisë intelektuale.

Loading...

“Dogana e Kosovës në periudhën janar-prill 2019, ka zbuluar 155 raste për mallrat në sasi prej 81, 152 copë dhe vlerë prej 1 milion euro, ku prej të cilave është konfiskuar malli në sasi prej 25, 069 copë dhe vlerë prej 910,849.00 euro”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Ndërsa, gjatë vitit të kaluar ky institucion publik, që pos kontrollit të importit e eksportit, ka për detyrë edhe mbrojtjen e ekonomisë, markave tregtare dhe biznesit legal nga konkurrenca e pandershme, ka zbuluar 381 raste dhe ka konfiskuar mallra të falsifikuara në vlerë rreth 2 milionë euro.

“Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2018 ka zbuluar 381 raste për mallrat në sasi prej 226, 337 copë dhe vlerë mbi 2 milionë euro, nën dyshimin se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, ku prej të cilave është konfiskuar malli në sasi prej 161, 139 copë dhe vlerë përafërsisht 2 milionë euro”, thuhet tutje në përgjigjen e këtij institucioni.

Përveç produkteve false, të cilat në formën e gatshme arrijnë në tregun e Kosovës, një pjesë prodhohen dhe përpunohen edhe në punëtori e fabrika të improvizuara brenda territorit të Kosovës.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë

Marre nga GazetaBlic

Loading...
SuperDyqani