Politike

Do lutesh të kesh fatin e Nikolla Gruevskit –

Loading...

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar Kryeministrin Edi Rama që të mos kalojë vijën e kuqe me protestuesit.

Një ditë pas protestës të së shtunës të shoqëruar me akte dhune dhe një ditë para protestës tjetër opozitare ditën e hënë, Basha tha se Kryeministri Rama nuk do të mund të mbajë pushtetin me dhunë.

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët nga selia blu, Lulzim Basha theksoi se në rastin më të mirë, Kryeministri Edi Rama do të lutet të ketë fatin e ish-Kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, i cili aktualisht ndodhet në kërkim dhe jeton në Hungari me status azilanti.

“Jetojmë në një  vend anormal me politikë anormale. Pse ndodh kjo? Arsyeja është filli që i bashkon të gjitha krizat, është humbja totale e drejtpeshimit që mban një shoqëri në bashkëekzistencë. Kjo ka humbur për një arsye të thjeshtë, sepse prej 6 vitesh vendi nuk qeveriset, por sundohet. Fati është në dorë të një personi apo disa personave që janë tërësisht jashtë funksionit. Kjo ndjenjë e mungesës totale të normalitetit mori forma dramatike mbrëmjen e kaluar ku përballë u gjendën protestues të bashkuar nga halle të ndryshme. Nga ana tjhetër, përgjigjen prej një junte kriminale të rezervuar për protestuesit dhe për gjithë qytetarët e Tiranës, që dje në shtëpitë e tyre kanë marrë doza të larta të gazit helmues që u përdorën bashkë me dhunën e pafre kundër protestuesve.

Sot është e qartë se me mirëkuptimin që tregoi për rrahjen barbare të numrit 3 të PD, urdhëruesi i vërtetë i këtij akti ka dalë përpara shqiptarëve. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Sot unë dhe PD jemi nisur për të rikthyer normalitetin politik në vend, për të rikthyer demokracinë. Megjithatë, sot orë pas dramës së mbrëmshme dhe në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë, mos i kalo caqet, mos bëj të fortin pas autoblindave. Harroje se do të mbash pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë do lutesh të kesh fatin e Nikolla Gruevskit”.

Gjatë protestës mbrëmjen e së shtunës, pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, ku qytetarë e efektivë pësuan lëndime të lehta. Ndërsa sot Policia e Tiranës njoftoi se 84 persona janë proceduar penalisht, ndër të cilët 50 janë arrestuar. Në një mbledhje pas mesnatës të së shtunës dhe të dielës, Partia Demokratike vendosi që ditën e hënë në orën 18:30 të mbahet një tjetër protestë kundër qeverisë. / tvklan.al

Marre nga TvKlan

Loading...