Aktualitet

Dhunës së qeverisë Rama i përgjigjemi me fuqinë e bashkimit –

Loading...

21:15 – Kryetari i PD, Lulzim Basha, mban fjalimin përmbyllës të protestës së 5-të kombëtare të opozitës së bashkuar: Asnjë hap pas! Beteja që ka nisur është pa kthim. Historia do tregojë se kjo betejë do të përfundojë me shporrjen e qeverisë së krimit dhe triumfin e vlerave europiane. E ardhmja e shqiptarëve është Europa! Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazare me të keqen, e keqja duhet të ikë për një Shqipëri si gjithë Europa.

Jemi të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë. Le të jetë e sotmja, mesazhi i vendosmërisë absolute me të cilën do ta vazhdojmë këtë betejë, të vendosur deri në fund për betejën tonë pa kthim për liri, demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Forca jonë është bashkimi, pjesëmarrja, vendosmëria, dhe kësaj force nuk i bën dot ballë as Edi Rama dhe as banda e këtij e inkriminuar. Misioni ynë, është mision brezash, për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, për të gjithë, të djathtë e të majtë.  Ju ftoj ta përmbyllim këtë marshim të paprecedentë proteste duke kënduar së bashku Himnin tonë Kombëtar.

21:05 – Protestuesit largohen nga Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe i Drejtohen Selisë së Partisë Demokratike, ku kryetari Lulzim Basha pritet të mbajë edhe fjalimin përmbyllës.

20:47 – Protesta është zhvendosur para drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u thyen xhamat dhe u hodhën kapsolla. Nën thirrjet “lironi vëllezërit tanë”, u hodh drejt godinës së drejtorisë edhe një bombë molotov. Mbizotëron një situatë e tensionuar, por deri më tani protestuesit nuk kanë tentuar të hyjnë në ambientet e brendshme të drejtorisë së policisë së Tiranës.

20:30 – Nën thirrjet “Rama Ik!”, mijëra protestues vazhdojnë marshimin nga Ministria e Brendshme për tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

20:14 – Gjatë protestës së Partisë Demokratike përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u hodh një numër i madh kapsollash të ndaluara. Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit thotë se si rezultat i këtyre goditjeve është lënduar një punonjës policie, i cili është dërguar në spital për trajtimin e nevojshëm. Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të protestës dhe protestuesve që të ndalojnë goditjet provokuese ndaj policisë.

19:55 – Protestuesit mbërrijnë para Parlamentit pasi kaluan para drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku u hodhën shumë kapsolla dhe tymuese. Deri më tani protesta e opozitës ka vijuar e qetë dhe nuk ka pasur përplasje me forcat e policisë.

19:18 – Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, pas thirrjeve të kryedemokratit Basha, nisin marshimin fillimisht drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Më pas marshimi do të vazhdojë drejt Parlamentit, për të vazhduar tek Ministria e Brendshme dhe për t’u mbyllur tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku po mbahen 50 të arrestuarit e protestës së 11 Majit.

19:15 – Kryetari i PD, Lulzim Basha flet para protestueve: “Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna.

Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka çdo shqiptar, votën e lirë.

Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës.

Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin.

Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit.

Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari.

Rruga drejt Evropës mbetet e bllokuar, sepse në Evropë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, me pa ndëshkueshmëri, drejtësi të kapur që mbron kriminelët dhe politikanët e korruptuar dhe mbyll sytë ndaj krimeve të tyre.

Shikojeni këtë protestë, shikojeni sa madhështore është. Shikojeni njëri tjetrin në sy, t’i japim dorën njëri tjetrit, sepse ka vetëm një rrugë: Do ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Edi Rama dhe klika e tij duhet ta dijë fare mirë se ne në këtë shesh dhe qindra mijë shqiptarë jemi garancia e vetme që luftojmë për vlerat e Evropës, luftojmë për Perëndimin. E sotmja është një marshim protestë kundër qeverisë së bërë njësh me krimin. Rama ik!

Kundër zgjedhjeve fallco, të blera e të diktuara nga krimi. Nuk do të ketë zgjedhje fallco në Shqipëri. Shqipëria do të çlirohet nga zgjedhjet fallco. Do ti japim mundësi çdo shqiptari të votojë pa frikën e krimit, pa frikën e oligarkëve në pushtet, pa përdhunuesin serial të zgjedhjeve në pushtet.

E sotmja nisi me të tjera dhunime. Masivisht banditë me uniformë shoqëruan qindra protestues në Tiranë, Shkodër e anembanë Shqipërisë. Policia e dhunuar nga krimi nuk bën detyrën e saj. Ajo hesht kur kriminelë me uniformë dhunojnë qytetarët.

Ja ku e kemi garancinë, marshimin më historik të protestës. Do të jemi të gjithë bashkë në këtë marshim të shpresës, marshimin e lirisë, marshimin e demokracisë, marshimin tonë kundër dhunës qeveritare, kundër krimit në pushtet dhe qeverisë së bërë njësh me krimin.

Sipërmarrës, të papunë, intelektualë, pensionistë, të gjithë bashkë në një betejë, krah për krah për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit. Jemi para selisë së kryeministrit ilegjitim që i ka orët e numëruara dhe do të marshojmë së bashku ne 5 pikat që simbolizojnë institucionet që u ka vjedhur shqiptarëve. Së pari drejt institucionit të kryeministrit, që nuk nxjerr më ligje, më pas drejt Drejtorisë e Përgjithshme e Policisë, me mesazhin se ne duam një polici të ligjit, jo një polici të krimit. Pas kësaj drejt Parlamentit, dhe më pas drejt Ministrisë së Brendshme, ku sundon një njeri që s’njeh kushtetutë dhe ligj, por vetëm një vegël e verbër. Dhe së fundmi aty ku mbahen me pahir vëllezërit dhe motrat tona, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.”

19:00 – Mijëra protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, u bashkohet edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe udhëheqës të tjerë të opozitës.

18:40-Dy ditë pas protestës së dhunshme të 11 Majit, mbështetësit e opozitës kanë nisur të mblidhen sërish para Kryeministrisë pasditen e kësaj të hëne për të kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe qeveri tranzitore, e cila sipas tyre do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Protesta e 5-të kombëtare e opozitës në 12 javë ka nisur nën shiun e rrëmbyeshëm të kryeqytetit.

Ndryshe nga protestat e kaluara, kjo do të jetë një protestë marshim, ku qytetarët janë ftuar për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjen e politikës nga krimi.

Ndërkohë PD në nisje të protestës publikoi itinerarin e marshimit: “Sheshi “Skënderbej”, “Kryeministri”, “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë”, “Parlament”, “Ministria e Brendshme”, “Drejtoria e Policisë Tiranë”. “Simbolika e këtij marshimi protestë janë institucionet e kapura nga krimi-Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre”, thuhej në njoftimin e shpërndarë nga PD.

Përreth godinës së Kryeministrisë janë rivendosur mbrojtëse metalike, një pjesë e së cilave u shkëputën gjatë përplasjeve me protestuesit pasditen e së shtunës. Në terren kanë zbarkuar 1 500 forca policie për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. /tvklan.al

Marre nga TvKlan

Loading...