Lajme

DETAJE/ Kush është shqiptari me 10 identitete, koka e klanit të kokainës në Spanjë. Lidhja me Devi Kasmin –

Loading...


Policia ka arrestuar në Madrid shtetasin shqiptar Kreshnik Farruku, të cilin mediat spanjolle e konsiderojnë si liderin e rrezikshëm të një klani për trafikimin ndërkombëtar të kokainës.

Ndaj tij rezultonte të kishte një urdhërarrest europian, të lëshuar nga Italia që nga viti 2018, për të njëjtën çështje që Policia spanjolle e kishte hetuar që nga viti 2007.

Në atë kohë, në Spanjë ai dyshohej edhe për grabitjen e vilës së biznesmenit Jose Luis Moreno, në Boadilla.

Farruku, i cili njihej edhe me mbiemrin Bodlla, u arrestua në fund të prillit në një hotel që ndodhet në rrugën “Joan Maragall Chamartin”, pranë La Castellana, në Spanjë.

Mediat vendase shkruan se kur atij iu afrua një agjent Policie, Farruku u përpoq të vërtetonte identitetin e tij me dokumente spanjolle dhe shqiptare në emër të personave të tjerë. Më pas, Policia zbuloi se ai kishte përdorur deri në 10 identitete të ndryshme, për të shmangur zbulimin.

“I ndaluari dyshohet se është pjesë e klanit ‘Farruku’, një organizatë kriminale shqiptare që ishte e lidhur me vjedhje, trafikimin e kokainës dhe krime të tjera të lidhura me trafikun e drogës.

Burime të grupit hetimor kanë shpjeguar se ai ishte hetuar fillimisht në vitin 2007, sepse dyshohej se ishte i lidhur me grupin e shqiptarëve që sulmuan në atë vit në shtëpinë e biznesmenit Jose Luis Moreno, por nuk u arrestua për këtë.

Policia dyshonte, megjithëse nuk kishte prova, se Kreshnik Farruku fshihej edhe pas vrasjes së shefit të tij, më 21 janar 2010, në rrugën ‘Telemaco’ të Madridit, pas vdekjes së të cilës ai mori komandën e organizatës.

Hetimi pasues arriti në përfundimin se autori i të shtënave ishte shtetasi shqiptar Devi Kasmi dhe ata dyshonin se ai kishte vepruar sipas urdhrave të kreut të dytë të organizatës kriminale, që në atë kohë ishte Kreshnik Farruku.

Devi Kasmi iku në vendin e tij, ku u qëllua për vdekje në Tiranë (Shqipëri) në janar 2018”, shkruajnë mediat spanjolle.

Marre nga TPZ.al

Loading...