Ka të plagosur/ Aksident masiv në autostradë, përplasen disa makina

Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur pak më parë në autostradën që lidh qytetin e Laçit.

Disa makina janë përplasur me njëri-tjetrin në këtë aks rrugor.

Ky aksident ka shkaktuar një trafik të pazakontë në të dy krahët e autostradës, ku ditën e sotme duhet kujtuar se shumë besimtarë i drejtohen kishës së Shna Ndout per të qenë aty datën 13 kur është dhe dita e Shna Ndout qe shënon dhe kulmin e besimtarëve…

Policia po përdor rrugët dytësore për kalimin e mjeteve/

Nuk raportohet për viktima por ka të plagosur lehtë. Ndërkohë që trafiku në këtë segmet ka shkuar mbi 6 km në secilin krah.

Marre nga Next TV

Pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout, Policia me plan masash për të përballuar fluksin

Policia e Lezhës ka përgatitur një plan masash për mbarëvajtjen e pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout në Laç, më datë 12-13 Qershor 2019.

Për shkak të fluksit të madh të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që i bashkohen këtij pelegrinazhi, janë marrë masat si më poshtë:

– Nga ora 08:00 datë 12.06.2019 – ora  24:00 datë 13.06.2019,  do të kufizohen  disa  segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve të cilët janë:

” Nga Kryqëzimi i Gjykatës  –  Kisha e Shna Ndout ”

” Nga Kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”

” Nga Kryqëzimi i Gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”

“Nga Pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik ( autobus/ taxi) të liçensuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore ,mjetet e emergjencave civile ,  zjarrëfiksja, ambulanca  dhe policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje,  pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.

–  Nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te Kryqëzimi i Varrezave do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.

– Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.

– Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve .

Policia e Lezhës, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve të Laçit si dhe pelegrinëve përdorues të rrugëve për tek Kisha, drejtues mjetesh apo këmbësorë, që të respektojnë dhe të ndjekin komunikimet e punonjësve të policisë në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve, një ndihmë kjo në menaxhimin e fluksit të lartë për një mbarëvajtje sa më të mirë të pelegrinazhit.


Top Channel

Marre nga Top Channel

Vrau 5 femijët e tyre, nëna kërkon mëshirë për babain vrasës

Një nënë e 5 fëmijëve, që u vranë nga babai i tyre, i kërkoi jurisë që të mos e dënonin me vdekje.

Amber Kyzer tha në një gjykatë në Karolinën e Jugut se: “Tim Jones Jr nuk tregoi mëshirë për fëmijët e mi në asnjë mënyrë, por fëmijët e donin atë.”

37-vjeçari u dënua në maj për vrasjen e fëmijëve, një i moshës 8-vjeçare, në shtëpinë e tij pranë Lexington më 28 gusht 2014.

Ndërsa gjykata po merr vendimin nëse duhet ekzekutuar apo dënuar me burgim të përjetshëm.

“Unë e di se çfarë fëmijët e mi kanë përjetuar dhe kaluar. Dhe si nënë, unë do t’i shqyeja fytyrën nëse do mundja,”-tha ajo në gjykatë.

Kyzer shtoi se kundërshtonte dënimin me vdekje.

Image

“Ai nuk tregoi mëshirë për fëmijët e mi,”-tha nëna. “Por fëmijët e mi e donin atë dhe nëse flas në emër të tyre dhe në emrin tim, nuk duhet dënuar me vdekje.”

Gjithsesi theksoi se do respektojë çdo vendim që juria do marrë.

Çifti u martua 6 javë pasi u takuan në vitin 2004 kur të dy punonin në një park fëmijësh në zonën e Çikagos.

Por dëshmoi se martesa e tyre u shkatërrua pasi bashkëshorti i saj u bë fetarisht i rreptë, duke  kërkuar që gratë të “shiheshin dhe të mos dëgjoheshin”.

Kur u divorcuan pas 9 vjetësh, ajo i dha atij kujdestarinë e fëmijëve, sepse Tim kishte një punë ku fitonte 80.000 dollarë si një inxhinier kompjuteri si edhe një makinë.

Ajo i takonte fëmijët çdo javë. Ditën kur vrau fëmijët, Jones u tërbua kur gjeti djalin 6-vjeçar, Nahtahn duke luajtur me një prizë në shtëpinë e tyre.

Image

Ai e vrau Nahtahn pastaj vendosi të mbyste edhe katër fëmijët e tjerë Elaine, 1 vjeç, Gabriel, 2 vjeç, Elias, 7 vjeç dhe Mera, 8 vjeç.

Jones i mbylli trupat në qese plastike, i futi në makinë dhe udhëtoi për 9 ditë para se ti hidhte në Alabama.

Babai vrarës u arrestua në Misisipi gjatë një kontrolli rutinë, pasi një oficer i policisë ndjeu “erën e vdekjes” që po vinte nga makina.

Marre nga Next TV

Flet ministri i jashtëm holandez/ Ja pse bllokuam Shqipërinë. KE foli para kohe

Hollanda ka dhënë sot një vendim të fortë për Jo për hapjen e negociatave me Shqipërinë duke arguamentuar se vendi ynë nuk ka plotësuar asnjë kusht për krimin dhe drogën.

Vetë Ministri i Jashtëm hollandez Stef Blok tha: “Rekomandimi i Komisionit Evropian ishte i parakohshëm.  Shqipëria nuk i ka plotësuar kriteret për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Më herët Parlamenti Hollandez ka votuar edhe për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë, vendim të cilin tashmë ia ka kaluar për shqyrtim Komisionit Europian.

Marre nga Next TV

Zhduket i riu prej 4 ditësh, ja dyshimet e para të policisë

Një 18 vjeçar ka katër ditë që rezulton i zhdukur në qytetin e Këlcyrës.

Ai quhet Matias Rizallari dhe familjarët e tij dyshojnë se mund të jetë mbytur në lumin Vjosë

Ditë më parë sipas Policisë, i riu është parë në afërsi të lumit dhe që prej asaj dite, familjarët kanë humbur kontakte me të

Një nga dyshimet është se i riu mund të ketë humbur jetën teksa ka tentuar të lahej në lumin Vjosë.

Kërkimet janë përqendruar ne rrjedhën e lumit, ndërsa sot në ndihmë kanë mbërritur edhe polumbarët e Reneas, të cilët kanë kërkuar nga hyrja e Këlcyrës deri tek ura e Dragotit por pa rezultat.

Marre nga Next TV

Manjani: Holanda ‘shuplakë’ Ramës dhe burokratëve pijanecë të Brukselit

Pas vendimit të parlamentit të Holandës për të mos hapur negociatat me Shqipërinë, vjen reagimi i ish ministrit të drejtësisë Ylli Manjani.

Sipas tij, deklarata e ministrit të jashtëm holandez, Stef Blok, ishte shuplaka e madhe ndaj Ramës dhe burokratëve pijanecë të Brukselit, siç i quan ai.

“Rekomandimi i Komisionit pra i burrokratëve dhe pijanecëve) ishte i parakohshëm për Shqipërinë, sepse ajo ska përmbushur asnjë kusht”, citon Manjani kryediplomatin e Amsterdamit.

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:

Ministri i Jashtëm i Hollandës ju dha shuplakën e madhe si Edi Ramës ashtu edhe burrokratëve e pijanecëve të Brukselit.

“Rekomandimi i Komisionit pra i burrokratëve dhe pijanecëve) ishte i parakohshëm për Shqipërinë, sepse ajo ska përmbushur asnjë kusht”- deklaron Ai.

Në fakt është shumë e hidhur për të gjithë ne ky konstatim, por e vërteta na ndihmon të trajtojmë çështjen ashtu siç duhet.

Çelja e bisedimeve, bisedimet në vetvete dhe, anëtarësimi në BE është çështje merite dhe jo nder shokësh e shoqesh burrokratë, me të cilët na është mburrur Rama gjithë këto vite.

Gjithkush mund të vlerësojë vetë sa europiane është Shqipëria e sotme?!

Jemi të identifikuar si trafikantë, të korruptuar,dogaxhinj e kriminelë gjithandej.

Nuk na i kanë rikthyer vizat, lavdi zotit, por në çdo pikë kontrolli kufitare në Europë na bëjnë zbor me pyetje e super verifikime sa na shohin pasaportën.

Në cilin vend Europian ikin masivisht njerëzit nga vendi i tyre?!

Në cilin vend Europian diskutohet (pa)aftësia e shtetit për të vendosur ligjin, për të garantuar liritë e të drejtat kushtetuese si dhe zgjedhjet e lira e demokratike?!

Në cilin vend Europian Kryeministri sillet si puçist në shtetin e vet?!

Në cilin vend Europian mbyllja e gjykatave quhet drejtësi?!

A ka kund ndonjë KQZ që të mos njohë autoritetin ligjor të kreut të shtetit?!

Ku në Europë policia prish shtëpi pasi ka helmuar me gaz lotsjellës banorët e saj?!

Ku në Europë gjendet një parlament monist dhe pa numrat e nevojshëm për tu quajtur parlament?!

Në ç’vend të Europës kushton ribërja e 1 km rrugë e ndërtuar 20 milion euro?!

Ku në Europë, gjendet prokurorë që nuk hetojnë asnjë skandal të qeverisë e shtetit?!

Në cilin vend të europës dënohet protesruesi dhe denoncuesi dhe i denoncuari megjithse kapet në flagrancë nuk i hyn gjëmb në këmbë?!

Cili kryeministër europian lë detyrën publike dhe me avion privat (të financuar nga nuk dihet) shkon të bëjë foto me Ronaldon?!!

Etj etj etj….

Ja pra që Europa është meritë dhe jo shoqëri supe e pilafi me fruta deti me ekspertë e ambasadorë. Këto të fundit nuk guxojnë të flasin se ju bërtet Rama!

Nuk ka pra asnjë lidhje me Europën e perëndimin ky realitet ku jemi katandisur.

Ndaj dhe shqiptarët IKIN.????????????

Kritika e Hollandës, Gjermanisë, Francës etj duhet marrë seriozisht.

 

Marre nga Next TV

“The Economist”: Negociatat shtyhen për në vjeshtë

“Zgjerimi i Bashkimit Europian nuk është më në modë. Asnjë vend nuk i është bashkuar më Unionit që pas Kroacisë në 2013-ën. Aktualisht Hungaria dhe Polonia sulmojnë gjykatësit dhe mediat duke sjellë në vëmendje debatin e kohëve më parë se aderimi në Bashkimin Europian mund të sjellë zakonet e vjetra në vende me të kaluar diktatoriale”.

 

 

Kështu nis një shkrim i prestigjiozes ‘The Economist ‘ për çështjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, por ku përmendet edhe Shqipëria. Për fqinjët tanë thuhet se kanë bërë një punë të shkëlqyeshme kohët e fundit që pas dhënies fund të mosmarrëveshjes për emrin, kryeministri Zaev ka nisur edhe veprime konkrete për të luftuar korrupsionin në nivele të larta duke reformuar edhe gjyqësorin.

“The Economist” thotë se tashmë është qartë se Franca dhe Holanda janë pengesë për zgjerimin e mëtejshëm të BE. Në Paris, Emmanuel Macron vazhdon t’i qëndrojë bindjes se BE duhet të reformohet brenda saj përpara se të vijojë zgjerimin. Ai nuk e fsheh më as frikën që ka nga rritja e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.

Në Gjermani, gjithashtu Angela Merkel ka nevojë për mbështetjen e Bundestagut për të lejuar nisjen e negociatave, por CDU vijon të bëjë rezistencë. Ata thonë se kanë nevojë për shumë kohë.

Sipas “The Economist” shumë nga anëtarët e Bundestagut nuk janë të bindur për reformat e Shqipërisë në gjyqësor, të tjerë duan që vendet të ndahen, (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut), por ka edhe nga ata deputetë që duan t’i japin një goditje Merkel në fund të mandatit pasi autoriteti i kancelares po zvogëlohet në mbarim të karrierës politike.

“Në planin fillestar do të duhej që të dyja vendet të merrnin nisjen e negociatave në 18 qershor. Tashmë kjo duket e pamundur” – shkruan “The Economist”.

“Një samit i lidëreve mund të mblidhet në korrik ku është e sigurt që Maqedonia e Veriut do të kalonte, por Bundestagu do të ketë nisur pushimet. Një tjetër mundësi është në fund të tetorit, por deri atëherë do të ketë kaluar më shumë kohë dhe gjërat nuk mund të jenë radikalizuar”, – shkruan “The Economist” që i kushton rëndësi problemeve që mund të ketë qeveria e Zaev në rast të shtyrjes së hapjes së negociatave. Sa i takon Shqipërisë thuhet se ajo mbetet në situatë politike jo të qëndrueshme dhe se shtyrja e hapjes së negociatave mund të justifikohej.

Marre nga Next TV

Flet Safet Kamberi: Kështu erdhi deri te rrahja në LDK-në e Mitrovicës

Kryetari aktual i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi në dokumentarin e radhës “Expose”, prodhim televiziv i Gazeta Blic, ka folur për rrahjen që kishte ndodhur ditë më parë në një nga nëndegët e LDK-së në këtë komunë. 

Ai ka dhënë versionin e tij, se si kishte ardhur deri te rrahja në këtë degë.

“Kemi filluar procesin zgjedhor fillimisht me përgatitjet. Dega jonë ka qenë në fazën e dytë të procesit zgjedhor dhe ne si kryesi e degës atje, kemi kryer të gjitha përgatitjet për këtë proces, kemi bërë ndarjen e delegatëve për nëndegë dhe agjendën në bashkëpunim me kryetarët e nëdegëve, kemi caktuar anëtarë të kryesisë që të jenë në vëzhgim të këtij procesi dhe për shkak të disa telashave të vogla ne e kemi pezulluar këtë proces dhe po besoj se në bashkëpunim me Kryesinë qendrore dhe degën në Mitrovicë të shohim se si do të vazhdojmë zgjehdjet në degën tone”, thotë ai.


Ai ka thënë se në momentin kur ka ndodhur rrahja në kuvendin e nëndegës në qendër, ai nuk ka qenë present.

Ai tha se së bashku me Haki Rugovën, kanë qenë në Kuvendin e nëndegës Ilirida (ish Tavniku) ku tha se kanë hasur në parregullsi.

“Ne kemi vërejtur aty se nuk ka pasur kushte për të vazhduar ky proces dhe përvec kësaj, përvec njerëzve të LDK-së, aty ka pasur prezencë dhe interefrim të njerëzve dhe subjketeve tjera dhe e kemi paralajmëruar kryetarin e nëndegës së ky Kuvend nuk mund të vazhdoj punën se duhet të zgjedhen strukturat e LDK –së nga vetë njërzit e LDK-së dhe jo të intereforjnë anëtarë të subjketeve tjera politke, mirëpo kemi hasur në padëgjueshëmri nga kryesusi i këtij kuvendi. Ose mbledhje sepse ka qenë një numër i madh aty, mbi 300 dhe kemi kërkuar të shikohet mundësia se si të vazhdohet bazuar në rregulloren për procesin zgjedhor, mirëpo aty ka pasur ofendime të rënda drejtuar z. Haki Rugova dhe dhe mua në veçanti, mirëpo më shumë ndaj tij nga kryetari i nëndegës, i cili e ka menaxhuar edhe Kuvendin. I kemi thënë kryetarit të nëndegës së ky process për ne është i përfunduar dhe nuk mund të vazhdohet, kemi dal nga ky Kuvend me Rugovën dhe kemi lëvizur në drejtim të qytetit”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, në të nëjtën kohë është mbajtur edhe kuvendi i nëndegës Qendra, ku ka ndodhur rrahja.

“Në hapje të takimit ka qenë Avdullah Hoti ku është njëra nga nëndegët më të mëdha dhe më të forta të LDK-së në Mitrovicë, ku kanë qenë 400 njerëz, edhe aty ka pasur interferim nga partitë tjera dhe kryesuesi i Kuvendit ka pasur një keqmenaxhim të skajshëm të këtij procesi dhe ne kemi marrë informata se bartësit e këtyre dy kuvendeve kanë qenë ata që më të vërtet e kanë menaxhuar keq dhe ka pasur një acarim të kuvendit në nëndegën Qendra, dhe ka ardhur deri te eksesi që për ne është i izoluar por sidoqë të jetë, ka qenë i dëmshëm ëpr degën tonë në Mitrovicë”, konsideron ai.

Ai tha se kuvendi ku ndodhi rrahja është interferuarnga njerëz të PDK-së dhe AKR-së, dhe se unë personalisht I kam identifkuar për shkak se i njoh dhe njihemi mirë dhe është sulmaur procesmbajtësi. Ai tha se ka dalë, që sulmuesi ka qenë një zyrtar i AAK-së.

Ai ka thënë se është në epërsi në raport me kundërkandidatin, Faton Peci.

Marre nga GazetaBlic

Kushtetuesja funksionale brenda verës, KED gati renditjen e kandidatëve

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e rrëzuar nga veprimi i ligjit të Vetingut, do të jetë funksionale brenda kësaj vere, me të paktën 7 anëtarë nga 9 gjithsej. Sipas Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, 9 anëtarë e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi i Shqipërisë, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Po në çfarë fazë është procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, a ekziston mundësia e bllokimit dhe çfarë e ka penguar deri më sot?

Gjashtë anëtarët e parë, sipas të gjitha gjasave dhe bazuar në afatet ligjore, do të emërohen brenda dy muajve, ku së bashku me anëtaren aktuale Vitore Tusha, Gjykata Kushtetuese do të ketë të paktën 7 anëtarë, të cilët mund të nisin shqyrtimin e 79 kërkesave që janë në pritje për t’u shqyrtuar. Ndërkaq, Presidenti, Kuvendi, politika apo Gjykata e Lartë, kanë zero mundësi dhe hapësira për të bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, meqenëse Kushtetuesja ka vetëm një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, mund të depozitohen kërkesa, ndonëse nuk shqyrtohen. Nëse Kuvendi vendos të shkarkojë Presidentin, vendimi i shkarkimit mund të depozitohet në Kushtetuese, e cila mund ta shqyrtojë me përparësi sapo të emërohen gjashtë anëtarët e parë.

Faza në të cilin ndodhet procesi aktualisht 

Aktualisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i përbërë nga Ardian Dvorani, Vitore Tusha, Arta Marku, Fatri Islamaj, Margarita Buhali, Fatjona Memçaj, Eriol Roshi, Medi Bici (zëvendësues), Gurali Brahimllari (zëvendësues) dhe Klodiana Veizi (zëvendësues), është në fazën e fundit të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve të cilët i janë përgjigjur thirrjeve të Presidencës dhe Kuvendit, duke aplikuar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Për gjashtë vendet e para vakante janë 52 kandidatë. Verifikimi i tyre ka nisur që në muajin prill. Për verifikimin e kandidatëve për ligjshmërinë e pasurisë, anën profesionale dhe integritetin moral, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u ka kërkuar informacion rreth 60 institucioneve publike dhe subjekteve private, ku kryesorët janë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, shërbimet informative etj. Ky proces pritet të mbyllet brenda muajit qershor.

Brenda 10 ditëve, në bazë të informacioneve të dokumentuara, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve. Këshilli më pas iu dërgon Presidencës dhe Kuvendit nga një listë me renditjen e kandidatëve për çdo vend vakant në Kushtetuese. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim, ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Kuvendi dhe Presidenca duhet të zgjedhin kandidatët brenda 30 ditëve, në të kundërtën kandidati i renditur i pari konsiderohet automatikisht i zgjedhur.

Kandidatët nga Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë ka bërë disa herë njoftime publike përkatëse për shpalljen e hapjes së  procedurës së shprehjes së interesit të kandidatëve që dëshirojnë të konkurrojnë për plotësimin e tre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Procesi ka dështuar për shkak të mungesës së kandidatëve. Shpalljen e fundit Gjykata e Lartë e ka bërë në 19 prill 2019. Në përfundim të afatit 30-ditor, kanë shprehur interesin kandidatët z. Sinan Tafaj dhe z. Klodian Rado, të cilët kandidojnë për dy nga tre vendet vakante. Mungesa e kandidatëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka bërë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të jetë në kushtet e pamundësisë për të verifikuar kandidatët dhe për të bërë renditjen e tyre sipas ligjit. Gjithashtu, kandidatët e pakët ulin mundësinë që ata të plotësojnë të gjitha kriteret ligjore. Kushtetuesja do të vijojë shpalljen e hapjes së  procedurës deri kur të bëhet të arrihet një numër i domosdoshëm kandidatësh që plotësojnë kriteret.

Zgjedhja e tre anëtarëve nga Presidenti

Presidenti i Republikës ka një rol formal dhe figurativ në zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit është i detyruar që për çdo vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhë një emër mes tre emrave të parë në listën e renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse Presidenti refuzon që ta ushtrojë këtë të drejtë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në krye të listës konsiderohet i emëruar. Procedura e emërimit parashikohet në nenin 7/b të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ndryshuar në vitin 2016. Pika 4 e nenit 7/b parashikon që “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar”.

Zgjedhja e tre anëtarëve nga Kuvendi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgon Kuvendit një listë me kandidatët e renditur sipas meritës si në rastin e Presidentit. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

Çfarë e ka penguar deri më sot zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses?

Pengesa kryesore për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, të patën të 6 anëtarëve nga Kuvendi dhe Presidenti (pasi Gjykata e Lartë nuk ka mundur të ketë listë me kandidatë), janë bërë anëtarët e mëparshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një pjesë prej të cilëve i ‘dogji’ Vetingu. Deri më sot KED është ripërtërirë tre herë pasi anëtarët kanë mandat 1-vjeçar. Anëtarët e parë dhe të dytë të KED nuk miratuan aktet nënligjore për vlerësimin e kandidatëve. Anëtarët aktualë të KED, të zgjedhur në janar, përfunduan në muajin prill paketën e akteve nënligjore normative. Pa këtë paketë nuk mund të përzgjidheshin dhe renditeshin kandidatët për në Kushtetuese.

Pengesa të tjera, Vetingu rrëzoi KED të 2018 

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, ndryshuar në 2016, kandidatë për anëtar i Gjykatës Kushtetuese duhet të të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit. Ky proces i ka kushtuar shumë kohë KED. Ky proces nuk ka lidhje me Vetingun. Vetingu është një proces tjetër. Madje, disa nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë shkarkuar nga Vetingut. Por ashtu, disa nga anëtarët e KED janë shkarkuar nga Vetingu. Nga 9 anëtarë të KED në 2018, 8 u shkarkuan nga Vetingu. Ata janë Rovena Gashi, Bashkim Dede, Artan Broci, Altina Xhoxhaj, Shkëlzen Selimi, Gentian Trenova, Fatos Qato dhe Ahmet Jangulli. Rrëzimi i KED të 2018 nga Vetingu pamundësoi procesin e miratimit të paketës nënligjore dhe nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Kushtetueses.

Si zgjidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi? 

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e rrëzuar nga veprimi i ligjit të Vetingut, do të jetë funksionale brenda kësaj vere, me të paktën 7 anëtarë nga 9 gjithsej.

Pengesa  

Pengesa kryesore për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, të patën të 6 anëtarëve nga Kuvendi dhe Presidenti (pasi Gjykata e Lartë nuk ka mundur të ketë listë me kandidatë), janë bërë anëtarët e mëparshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një pjesë prej të cilëve i ‘dogji’ Vetingu.

Marre nga Next TV

Në vetting prokurori i dosjes 339/ Përfaqësuesi i OMN-së: Përdore makinën pa targa! Rrezikon të digjet edhe gjyqtari Mulkurti

Pa praninë e një avokati prokurori Vladimir Mara i cili njihet edhe si hetuesi i dosjeve të forta si 339 dhe dosjes Tahiri u paraqit para vettingut. Për të raporti i inspektoratit të deklarimit të pasurive dhe interesit ishte se Mara nuk kish asnjë problem me pasurinë dhe nuk kishte bërë fshehje të saj.

Edhe nga ana profesionale ai rezultoi në rregull dhe pa probleme në DSIK e kontakte me botën e krimit. Ndërsa përdorimi i një automjeti nga viti 2009-2013 pa e regjistruar në Shqipëri u konstatua si problem, cka u vu në dukje edhe nga operacioni ndërkombëtar.

Përfaqësuesi i OMN-së Teo Jacobs tha se “3400 e bleu kushëriri juaj në prill 2009 ndërsa në qershor ua shiti ju 3000? OK, lidhjet familjare. Sipas legjislacionit ju duhet të regjistronit makinën për 6 muaj. Por ju e keni përdorur nga 2009 deri në 2011. Ato targa që keni përdorur ka qenë fake pasi në Angli makina u ç’regjistrua që në 2009. Ju si prokuror si e bëni këtë”?

Vladimir Mara u përgjigj duke thënë se “E kam marrë mjetin me dokumentacionin përkatës. Në TIMS u  regjistrua. Po ashtu kam marrë prokurë për përdorim mjeti sipas ligjeve në atë kohë. Kisha planifikuar të bëja gjitha procedurat por nuk mund të udhëtoja dot me këtë mjet. Kisha dy rruge ose ta ktheja në Angli  ose ta modifikoja. Kërkoj rikonfirmim”.

Në vetting këtë të mërkurë ishte edhe Idriz Mulkurti aktualisht gjyqtar në apelin e krimeve të rënda, por më herët gjyqtar në shkallën e parë pranë krimeve. Mulkurti ka qenë edhe pjesë e trupës gjykuese që dënoi Dritan Dajtin, ndërsa në vetting ai s’u paraqit vetë por solli avokatin Sokol Hazizaj. Për Mulkurtin ILDKPI kishte konstatuar fshehje pasurie, deklarim të rremë cka u konfirmuan edhe nga KPK gjatë hetimit të saj. Vendimi për Marën dhe Mulkurtin do të jepen më datë 14 qershor.

Debati në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit: Vladimir Mara nga 2016  dhe deri më tani është prokuror i krimeve të rënda. ILDKPKI na ka sjellë raport ku thotë se Mara ka deklarim të saktë dhe burime të ligjshme, nuk ka fshehur pasurinë. Kemi bërë riverifikim të deklaratave të pasurisë së prokurorit Mara. Ai ka qenë bashkëpunues me komisionin. Ka deklaruar kursime të cilat janë nga rroga. Mara ka në përdorim nga familja një banesë tek zona e Sanatoriumit në Tiranë, por deklarimet në ILDKPKI e deklaratën e vettingut ka mospërputhje.

Kjo banesë është përfituar me legalizim. Ka veturë të blerë në 2012 me kursimet e tij dhe dëmshpërblimet e përfituara nga kompania e sigurimeve për dëmtimin e një mjeti Land Rover në 2011. Këtë mjet prokurori e kishte me prokurë nga kushëriri i tij me dokumente angleze. Prokurori Mara ka deklaruar në 2009 pronësinë për mjetin Land Rover në ILDKPKI por se kishte blerë ende. Ky mjet ka qenë pa kontratë shitje.

Mara ka blerë elektroshtëpiake me kredi e këste por se ka deklaruar. Nga ana profesionale Mara është vlerësuar pozitivisht. Prokurori është denoncuar nga shtetësja me inicialet M.N. për trajtim ç’njerëzor, pasi verifikuam denoncimin na rezultoi se ishte i paprovuar.

Vladimir Mara: Me mospërputhjet e deklarimeve për banesën, është ashtu sikur e kam deklëruar edhe në vetting. Aktualisht banesa është në pronësinë e prindërve edhe sot.

Përfaqësuesi i OMN-së Teo Jacobs: Z. Mara duhet të kthehem në 2009, kur ju keni marrë një fuoristradë nga kushëriri juaj me vlerë 3 mijë euro. Po kosto e transportit nga Anglia këtu? Doli me humbje kushëriri juaj…

Vladimir Mara: Ajo është vlera reale që kam paguar unë. Tregu i makinave atje ishte më i lirë atje. Fola me vëllanë e kushëririn dhe aq mundësi kisha të paguaj.

Përfaqësuesi i OMN-së Teo Jacobs: 3400 e bleu kushëriri juaj në prill 2009 ndërsa në qershor ua shiti ju 3000? OK, lidhjet familjare. Sipas legjislacionit ju duhet të regjistronit makinën për 6 muaj. Por ju e keni përdorur nga 2009 deri në 2011. Ato targa që keni përdorur ka qenë fake pasi në Angli makina u ç’regjistrua që në 2009. Ju si prokuror si e bëni këtë?

Vladimir Mara: E kam marrë mjetin me dokumentacionin përkatës. Në TIMS u  regjistrua. Po ashtu kam marrë prokurë për përdorim mjeti sipas ligjeve në atë kohë. Kisha planifikuar të bëja gjitha procedurat por nuk mund të udhëtoja dot me këtë mjet. Kisha dy rruge ose ta ktheja në Angli  ose ta modifikoja. Kërkoj rikonfirmim.

Marre nga Next TV