I vë flakën vetes, 63-vjeçari: S’kemi bukë të hamë, doja të vdisja

Një 63-vjeçar nga lagjja “Çelepias” në qytetin e Beratit, ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes pasi është lyer me benzinë. Ngjarja ka ndodhur në lulishten e lagjes ku ai banonte dhe kanë qenë kalimtarët që kanë njoftuar patrullën më të afërt të policisë që e kanë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit. Pasi ka marrë mjekimin në Kirurgjinë e Beratit, 63-vjeçari ndodhet aktualisht i shtruar në dhomën nr.5 të këtij reparti. Mjekët kirurgë deklarojnë se i moshuari ka djegie të shkallës së dytë në të gjithë pjesën e poshtme të trupit. Bashkëshortët Xhevair dhe Zhaneta Gjozi tregojnë se shkak për këtë ngjarje janë kushtet e vështira ekonomike në të cilat ata jetojnë. Xhevair Gjozi shprehet se nuk e do më jetën për shkak se nuk kanë bukë të hanë, megjithatë dyshohet se ai ka edhe probleme të tjera. Ai pohon se kjo gjendje e rënduar vazhdon prej shumë vitesh dhe ai është i sëmurë e nuk merr as pension e as kemp. Bashkëshortja e tij Zhaneta Gjoni shprehet se Xhevairi është i sëmurë dhe nuk merr asnjë kemp nga shteti.

 

Ajo tregon se prej shumë vitesh kujdeset për të e vetme dhe se ka kërkuar disa herë ndihmë nga shteti për ta shtruar në qendra të specializuar për kujdesin e tij. Ajo i bën apel shtetit që t’i lidhi një pension ose kemp pasi të dy bashkëshortët nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike për të jetuar. Në këto kushte Zhaneta, për të siguaruar pak të ardhura për t’u ushqyer, largohet natën nga banesa për tu kujdesur disa herë në javë për një plak të sëmurë, edhe pse detyrohet ta lërë bashkëshortin e sëmurë vetëm gjithë natën.

Burimi

Doli për bukë përfundoi nën rrota, nëna në lot: Më shpëtoni djalin

“Shqiptarët për shqiptarët” kanë trajtuar këtë të premte historinë e Shëndritit. Djali 14 vjeçar është aksidentuar rëndë 2 vite më parë në Prishtinë. E ëma e kishte dërguar t’i blinte bukë, por djali nuk iu kthye kurrë më me këmbët e veta në shtëpi. Shëndriti pësoi një aksident teksa po kalonte rrugën. E ëma e tij tregon me dhimbje çfarë ndodhi ditën e aksidentit. Ajo tregon se e dërgoi djalin për të blerë bukë por e gjeti në spital duke luftuar me vdekjen. “Jam nëna e djalit Shëndrit Beqirit, vij nga Presheva, prej 20 vitesh jetoj në Fushë Kosovë. Jetoj me qira. Djali më është aksidentuar para 2 viteve. Shërim nuk ka pasur këtu as në spitale. Djali është duke më ikur, e kap ngërçi, i dhemb shumë koka. Ishim në shtëpi, bëra drekën, djalin e çova të blinte bukë. Djali u vonua pata frikë. Erdhi policia na tha se ka pësuar aksident. Në spital më thanë s’ka shpëtim. Për 4 ditë nuk kishte vetëdije, e kam pritur çdo ditë e natë tek koka. E sollëm në shtëpi, donte të rikthehej në shkollë”, tregon nëna. Shëndriti, 14-vjeçari, nga Fushë Kosova ka nevojë për një operacion në kokë që kushton 22 mijë euro. Nëna e tij tregon se pas aksidentit, djali po vuan nga infeksionet e rënda dhe dhimbje të forta të kokës. Ai ka qenë i shkëlqyer në shkollë, por tani thotë se nuk e kupton më matematikën si më parë. 14-vjeçari dashuron detin e Durrësit, por nëna e tij thotë se s’ka mundësi ta çojë. “Vuan nga infeksione të shumta që nuk e lënë të qetë, çdo javë jemi në spital për kurim, përdor shumë ilaçe, madje edhe për stres. Këto vitet e fundit më shumë kam qëndruar në spital sesa në shtëpi. Para vitit të ri 30 ditë qëndrova në një karrige pranë tij në spital. Për të unë jepja zemrën, vetëm të shërohet. I shkoja tek shtrati e kontrolloja nëse merr frymë. Është shumë i stresuar, ka tre javë që nuk del jashtë shtëpisë. Nuk do ta dëgjojë më emrin e mjekut. Më thotë pse nuk shërohem dot. Djali ka qenë i shkëlqyer në shkollë, krejt me 5-a, por tani ka rënë nga notat. Nuk e kupton më si dikur matematikën, ka qejf të shëtisë Tiranën, Durrësin. E do detin”, tregon ajo.

 

Gruaja thotë se nuk ka të ardhura të mjaftueshme për operuar se burri është pa punë ndërsa ata kanë vështirësi të sigurojnë edhe ushqimin e përditshëm ndonjëherë.

“Burri nuk punon. Djali i madh ka lënë shkollën se nuk e përballonim dot ta mbanim në shkollë. Edhe pa ushqim kemi mbetur por nuk kanë ndihmuar njerëzit. Kemi shpenzuar shumë me blerjen e barnave. Spitali nuk na ofron medikamente, kemi marrë borxhe për t’ia blerë. Unë nuk jetoj dot pa të, jam shumë e lidhur me të. Ai nuk ma lëshonte dorën kur ishte i aksidentuar. Doja ta shikoja veç njëherë duke ecur dhe duke folur”, thotë mes lotësh nëna.

Burimi

Me shpirtin e brengosur, babai i 14 vjeçarit apel shqiptarëve: Ma shëroni djalin…

‘Shqiptarët për shqiptarët’ takoi babain e Shëndritit, 14-vjeçarit të aksidentuar rëndë në Prishtinë teksa kalonte rrugën për të blerë bukë. Ai kërkon i dëshpëruar dhe me shpirt të brengosur ndihmë për djalin e tij, i cili nuk lëviz as flet dot. 14-vjeçari vuan nga infeksione të shumta dhe ka dhimbje të tmerrshme të kokës. Mjekët i kanë thënë familjes ta operojnë djalin por ata nuk i kanë 22 mijë euro. ‘Aksidenti ka ndodhur në 14 maj 2016, djali ishte duke shkuar drejt furrës së bukës për të marr bukë. Ishte me biçiklete. Ndërkohë një djalosh tjetër, e aksidentoi atë me veturë. Mandej e kanë çuar në spital. Është trajtuar në spitalin e Prishtinës. Aksidenti e ka lënë më shumë probleme të vështira dhe të mëdha shëndetësore. Djalin e çojmë çdo tre muaj në spital, herë në spital, herë në shtëpi, në shkollë shkon shumë pak. Djali ka munguar shumë në shkollë. Kjo për shkak se i infektohet plagët që ka marrë në aksident. Për shkak të infektimit është në gjendje paralize.

 

Bllokohet. Ai bllokohet krejt dhe e dërgojmë në spital për trajtim. Por atij i duhen operim. Këto dy vitet e fundit i kemi kaluar më tepër në spital sesa në shtëpi. Kam dëshirë që djali të rikthehet në shkollë, të luajë. Por ne rrimë nëpër spitale çdo ditë. Nuk e dimë nga vjen gjithë ky infeksion tek djali. Kanë zbuluar se ka një vrimë në tru dhe ka të dëmtuar sinusin dhe kjo duhet operuar. Jam shumë i lodhur mundësitë e mia janë harxhuar. Shpirti më dhemb për djalin, do kisha dhënë jetën për të. Unë vdes pa të. Kërkoj nga shqiptarët kush ka shpirt dhe zemër ta shëroni këtë djalë.’ /NEWS 24

Burimi

Historia/ Dikur ishte i varfër dhe i pastrehë, sot është milioner

Rrëfimi i jetës së Drew Gudal pa dyshim se mund të bëhet edhe film, por ajo çfarë është më e rëndësishme, është që historia e tij ka arritur t’ua ndryshojë jetën personave që kishin hequr dorë nga jeta dhe mendonin se gjithçka ka marrë fund. Ky britanik gjithmonë kishte dashur të bëhet aktor, dhe si 20-vjeçar pas përfundimit të shkollës së aktrimit ka arritur t’i fitojë disa role. Ai është shfaqur në filmat “Snatch” dhe “About a boy” ku është njohur me emra të famshëm të Hollywood-it si Brad Pitt dhe Hugh Grant. Megjithatë, kritikat e shumta në adresë të tij për shkak të aktrimit të dobët ia shkatërruan jetën. Mbeti pa para dhe nuk donte të kthehej tek prindërit e tij. Sipas tij ka qenë një disfatë për të. E nga zhgënjimi i madh mbeti pa kulm mbi kokë, dhe plotë gjashtë muaj i kaloi duke fjetur nëpër rrugë gjatë viteve të ’90-ta. Çdo ditë ka qenë e vështirë për mbijetesë, kurse vazhdimisht kërkonte para në rrugë për ushqim. E sikur kjo të mos mjaftonte, e kishin rrahur disa herë të dehurit dhe të pastrehët e tjerë. Natën e kalonte në rrugë përballë akademisë së aktrimit të Londrës, ku luftonte edhe me depresionin. Megjithatë, jeta e tij ndërroi edhe njëherë kur filloi të pastron rrugët dhe këpucët për të fituar para për ushqim. I kujtohet se si është dashur të jetë i kujdesshëm në mënyrë që policia të mos e kapë, derisa një ditë një nga klientët e rregullt i propozoi që të njëjtën punë ta kryej por në zyrën e tij, shkruan Telegraf. E pasi që Drew filloi ta rimarr veten financiarisht, vendosi të bëjë diçka të “çmendur”. Themeloi kompaninë që e quajti “Sunshine Shoeshine”. Sot fiton shumë duke bashkëpunuar me kompani prestigjioze nëpër Londër. Ai fiton 250 mijë funte në vit, kurse shumicën e parave i dhuron për bamirësi. E ajo që e bën më së shumti krenar, është që në kompaninë e tij punëson vetëm të pastrehë dhe njerëz me nevoja të veçanta.

 

Deri më tani ka punësuar rreth 40 të pastrehë, dhe i ka lënë të vendosin në cilën mënyrë do të ndihmojnë ndonjë prej organizatave humanitare. E njëri nga të punësuarit është Alan Walton, që i ka 45 vjet dhe që për 15 vite ishte i papunë. Drew përveç sa i ka gjetur Waltonit punë, e ka ndihmuar që të rimëkëmbët dhe të mëson se nuk duhet të heqë dorë nga jeta.

Burimi