Misioni izraelit në Hënë, anija pa pilot pëson defekt

Misioni i parë i financuar privatisht në Hënë është përplasur në sipërfaqen e satelitit pas një defekti në motorin kryesor të tij. Anija izraelite e quajtur Beresheet provoi një ulje të butë në sipërfaqe, por pati probleme teknike në zbritjen në sipërfaqen e Hënës.

Qëllimi i misionit ishte marrja e fotove dhe kryerja e eksperimenteve. Izraeli shpresonte të bëhej vendi i katërt që do të ulte një anije hapësinore në Hënë. Vetëm agjenci hapësinore qeveritare nga ish-Bashkimi Sovjetik, SHBA dhe Kina kanë bërë deri më tani ulje të suksesshme në Hënë.

“Ne nuk ia dolëm, por provuam”, tha mbështetësi dhe organizatori kryesor i projektit, Morris Kahn.

“Unë mendoj se arritje është të shkonim deri atje, është vërtetë e jashtëzakonshme, diçka për të cilën ne duhet të jemi krenarë”, shtoi ai.

Kryeministri Benjamin Netanjahu, që shikonte nga dhoma e kontrollit afër Tel Avivit, tha: “Nëse nuk ia dilni mbanë me përpjekjen e parë, ju do të vazhdoni të përpiqeni sërish”.

Pas një udhëtimi 7-javësh drejt Hënës, anija hapësinore pa pilot arriti në orbitën finale 15 km larg nga sipërfaqja. Tensionet në qendrën e komandës ishin të dukshme në kohën e humbjes së lidhjeve me anijen dhe zyrtarët konfirmuan se kishte patur një defekt teknik në të, që fatkeqësisht kishte bërë që të mos realizohej një ulje e suksesshme.


Top Channel

Burimi

Izraeli “do të zbresë” në Hënë

Në Izrael po pritet ethshëm zbritja e anijes hapësinore “Beresheet” në sipërfaqen e Hënës. Nëse ulja do të jetë e suksesshme, atëherë kjo do ta vendosë shtetin hebre në mesin e vendeve elitare që kanë mundur të realizojnë udhëtime në satelitin e vetëm natyror të Tokës.

Anija e quajtur “Beresheet”, që në hebraisht do të thotë “në fillim” ka udhëtuar në kozmos për 7 javë, përpara se të kalonte në gravitetin e Hënës disa ditë më parë.

Kjo e enjte shënon edhe fazën e fundit të uljes së saj. Pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, Izraeli bëhet vendi i katërt në botë që dërgon anije hapësinore në Hënë. Misioni ka kushtuar rreth 100 milionë dollarë dhe konsiderohet se i hap rrugën eksplorimit “low cost” të Hënës.

Por, përse izraelitëve iu deshën javë për t’iu afruar Hënës, kur shumica e misioneve atje nuk ka kërkuar veçse disa ditë? Arsyeja kryesore duket se ka qenë pikërisht paratë. Në vend që të qëndronte në një raketë, e cila do të kishte vendosur në trajektoren e përsorur të Hënës, “Beresheet” u nis nga një raketë “SpaceX Falcon 9” së bashku me një satelit komunikimi dhe një avion eksperimental.

Ndarja e udhëtimit në hapësirë e uli ndjeshëm koston e nisjes, por edhe e ngadalësoi lëvizjen e anijes hapësinore, që i hyri kështu një rruge më të ndërlikuar.


Top Channel

Burimi

Pasioni për Fiat 500. Rikthim në jetë i makinave të famshme

Kënaqësia më e madhe për Xhovanën është të ulet pas timonit të FIAT-it të saj 500. Pasioni i saj për restaurimin e një prej makinave më të famshme në botë nisi kur ajo u ul për të parën herë në një prej tyre.

“I kisha parë nga jashtë ndërsa ecja nëpër romë dhe gjithnjë mendoja se ishin makina të këndshme, argëtuese. Por, kur unë hyra brenda njërës, mendova; kjo makinë është e jashtëzakonshme”, thotë Giovanna Parascandolo.

23-vjeçarja, nuk hezitonte të kërkonte për relikte të ndryshkura dhe aspak të sigurta dhe të mësonte vetë se si t’i riparonte ato dhe ti bënte si të reja. Iu deshën dy vite për të restauruar makinën e saj, që e bleu për 2 mijë euro.

“Në fillim, bëra një kërkim në internet. Bëra një pyetje në google përse një fiat 500 nuk ndizet. Ky ishte fillimi i një viti studim, në libra, forume, dhe mësova shumë duke çmontuar pjesët”, shprehet ajo.

Ky fiat 500 i 1968, është projekti i saj më i ri. Xhovana shpreson se do të mund ta shesë atë për 10 mijë euro, por para kësaj, duhet bërë shumë punë.

E diplomuar në arkitekturë, ajo ende nuk ka gjetur një mënyrë për të garantuar jetesën, përtej pasionit të saj, por shpreson që kjo do të jetë vetëm çështje kohe.

“Ka një krizë ekonomike, por unë mendoj se ne duhet të kërkojmë përtej kornizave, të rishpikim një punë, një të ardhme, në një botë që ka ndryshuar shumë”, shprehet ajo.

Ndërsa Fiat 500 mbetet dashuria e parë e saj, Xhovana, shumë shpejt do t’i përdorë aftësitë e saj edhe për mjete të tjera klasike.


Top Channel

Burimi

Celulari i ri Samsung, kamera rrotulluese dhe me shinë

Samsung sapo njoftoi hedhjen në treg të një celulari të ri, që ka një kamera risi, me tre lente, por që ngrihet nga përbrenda celularit dhe rrotullohet për të bërë selfie.  

Celulari Galaxy A80 ka një kamera 48 megapiksel, me 3D depth dhe kënde tepër të gjera.

A80 merr disa veçori të S10, si sensori i shenjave të gishtave i fshehur poshtë ekranit, dhe kamera me kënd tepër të gjerë.

Duke rrotulluar kamerën, Samsung bën që me A80 edhe “selfie-t” të kenë të njëjtën cilësi si foto që bëhen me kamerën kryesore, pasi është e njëjta.


Top Channel

Burimi

Varfëria të ngulet në gjene! Statusi socio-ekonomik lë gjurmë të trashëgueshme

“Varfëria mund të lërë gjurmë të përhershme në ADN-në tonë”, thonë shkencëtarët.

Studime të shumta kanë treguar se çfarë ndikimi të ndjeshëm mund të ketë niveli social-ekonomik mbi shëndetin e njeriut dhe sëmundjet e tij, ndërsa pabarazia sociale përbën një element stresi për njerëzit në mbarë globin.

Edukimi dhe të ardhurat e ulëta konsiderohet se rrisin rrezikun për sëmundjet e zemrës, diabetin, shumë lloje të tumorit dhe sëmundjet infektive. Ndërsa statusi socio-ekonomik lidhet me procese fiziologjike që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve të tilla, si inflamacioni kronik, rezistenca ndaj insulinës dhe rregullimin e hormonit të stresit, kortizolit.

Shkencëtarët e Universitetit “Northwestern” në SHBA gjetën prova se, varfëria mund të rrënjoset në të gjithë skajet e genomit. Ata gjetën se, në disa zona të ADN-së, rregullimi lidhet me nivelin social-ekonomik.

Varfëria, sipas ekspertëve ndikon në mënyrë të veçantë te shtimi i molekulave specifike në genome, të cilat kanë funksionin e rregullimit të shprehjes së geneve në një proces të quajtur “metilacioni i ADN-së”.

Studime të mëtejshme do të nevojiten për të përcaktuar më qartë pasojat e këtij procesi mbi shëndetin, por tani duket se po përvijohet qartë fakti që gene të asociuara me këtë proces, lidhen edhe me reagimin imun ndaj infeksioneve apo zhvillimin e kockave.


Top Channel

Burimi

Wake Up/ 120,000 nxënës shqiptarë pjesë e programit britanik “Shkollat e Shekullit 21”

Programi Shkollat e Shekullit 21, është nisma më e madhe arsimore e British Council në Ballkanin Perëndimor, (përfshi Shqipërinë – në marrëveshje me MASR); një program ambicioz trevjeçar i cili do t’i pajisë mbi një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor, me aftësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit.

Ai synon të rrisë brezin e ardhshëm të novatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe të ndërtojë mundësi punësimi.


Top Channel

Burimi

Fëmijët “Hi Tech” të shkollës elektrike “Gjergj Canco”

Në katin e tretë të Shkollës Teknike Elektrike “Gjerg Canco”, klasa ku hyjmë të çon larg përditshmërisë. Nxënësit aty vënë në jetë idetë, që për shumicën e njerëzve mund të duken të paarritshme: Klasa e krijimtarisë, zbulimeve…

“Nëse jemi larg nga dera dhe na vjen dikush, mund ta hapim derën nga telefoni. Ndërsa nëse një person ka harruar çelësat në punë, ne mund të përdorim nëpërmjet IP-së, internetit, të hapim sërish derën”, thotë Flavio Dojla, gjimnazist.

Erjani ka mbaruar 9-vjeçaren me mesataren 9 dhe zgjodhi që të vazhdonte rrugën e dijes në shkollë të mesme profesionale, pavarësisht se kush e rrethonte nuk ishte dakord. Sot, me projektet inovative ka bindur shokët e fillores dhe familjen se nuk ka gabuar.

“Ideja ka lindur nga një situatë kur takohemi ditë për ditë me miq, e është thjesht një shtrëngim miqësor dore”, thotë gjimnazisti tjetër Erjan Koçi.

Ndërsa Klajdi është nxënës ekselent. “Punë në grup dhe vullnet duhet për të krijuar – thotë 18-vjeçari, – por besoj se i nevojshëm është dhe talenti”.

“Duke ditur që lulja e diellit është një lule që kthehet gjithmonë nga ana ku bien rrezet e diellit, e në momentin që rrezet takojnë me panelin e vendosur në qendër të saj, atëherë bëhet menjëherë furnizimi me energji i baterisë, i cili më pas karikon ‘smartphone’-t. Ky projekt është quajtur ‘Smart Sunfloëer’, pra një luledielli e zgjuar”, rrëfen Klajdi Barkaj, gjimnazist.


Top Channel

Burimi