Kuriozitete

Bamir Topi tregon njohjen me Bujar Nishanin: Furnizonte autobuzat e Jugut me karburant

Loading...


Për Bamir Topin është e rëndësishme që gjithkush të thotë të vërtetën e tij. Si dëshmitar i disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në politikën e pas viteve ’90, ish-Presidenti i Republikës, ka shumë për të treguar.

Në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press” ai rrëfen jetën e tij, që nga fëmijëria, studimet, puna shkencore, hyrja në politikë, duke arritur të ngjitet deri në numrin një të shtetit.

Po ashtu ai rrëfen për raportet personale me liderët politikë të 3 dekadave demokraci, që nga Ramiz Alia te Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishanin etj..

PËR BUJAR NISHANIN

Bujar Nishanin e kam njohur në një situatë mjaft të veçantë, në një ditë prilli të vitit 2001. Pas një mbledhjeje të Kryesisë së Partisë Demokratike, ku unë isha anëtar i asaj kryesie, po diskutohej ndarja e zonave të kandidatëve për deputetë në qytetin e Tiranës. Në përfundim të mbledhjes unë u caktova në zonën e Xhamllëkut, ku përfshiheshin lagje me qytetarë autoktonë, por dhe shumë të ardhur, sidomos në pallatet e “Varrit të Bamit”. Meqenëse zona ishte shumë e vështirë, menjëherë pas mbledhjes në orët e mbrëmjes shkova të takoj mikun tim Veli Rada, i cili ishte koordinatori i Partisë Demokratike për zonën. Vizita ime iu duk surprizë dhe i shqetësuar më thotë:

– Hajër inshAllah!
– Jo, jo, s’ka gjë, por erdha të njoftoj se u caktova kandidat për deputet në këtë zonë! U gëzua pa masë, duke më dhënë kurajë se do ta fitonim garën.
– Më thuaj, Veli, ndonjë emër për ta vendosur kryetar të qendrës zgjedhore të zonës! – i thashë unë.
– Nuk e di, por ne kemi pasur disa oficerë në lirim që i merrnim për komision, – vazhdoi Veliu.
– A ke ndonjë numër telefoni? – e pyeta unë.
– Jo, – tha Veliu, – por kemi emrat e tyre dhe, mesa di unë, njëri prej tyre, Bujar Nishani, punon në zonën e Plepave në Durrës, në një karburant!
– Ok! – i thashë. – Po shkoj nesër ta takoj. Të nesërmen, së bashku me Kujtim Merepezën u nisëm drejt Durrësit dhe në një pikë karburanti pranë Konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes te Shkëmbi i Kavajës, shikoj dikë që po furnizonte me karburant një autobus që shkonte drejt Jugut.
– Kujtim, shko dhe pyet kush është Bujar Nishani! – i thashë unë, ndërkohë që shihja kush do të ishte prej dy punonjësve të pikës. Kujtimi bisedoi me personin në fjalë dhe afrohet tek unë.
– Ai është, por sa të furnizojë autobusin do të vijë! Vërtet ai erdhi duke kërkuar ndjesë, por dhe me kureshtje se ç’ishte ky takim, ndërkohë që ne nuk njiheshim.
– Përshëndetje Bujar!
– Përshëndetje! Sigurisht unë ju njoh! – tha Bujari.
– Kam ardhur të të bëj një propozim për të punuar me mua për zgjedhjet politike të qershorit dhe për të qenë kryetar i KZAZ-së së zonës 35,- i thashë unë. Mbeti disi i
hutuar dhe priste ndonjë sqarim më shumë.

– Nëse pranon, do të largohesh nga puna, pasi do të jesh çdo ditë në komision. Mendohu dhe më thuaj në telefon. U ndamë për t’u dëgjuar në mbrëmje. Më telefonoi dhe më tha se pranonte dhe kështu filloi bashkëpunimi ynë. Zgjedhjet politike në atë zonë u fituan nga unë, përmes një klime tepër të vështirë, ku shumë mandate iu hoqën Partisë Demokratike pa të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, duke mbetur edhe për katër vite të tjera në opozitë. Pas kësaj njohjeje, me Bujarin takoheshim herë pas here për kafe, ndërkohë që papritur vjen një zhvillim i ri. Gjatë një bisede me Sali Berishën konstatohej një vendim i tij për të larguar Shaban Meminë nga detyra e sekretarit të Degës së Tiranës.

Shiko se mos gjen ndonjë njeri të përshtatshëm për sekretar të Tiranës! – tha Berisha.
Unë e kam një propozim! – i thashë pa u menduar gjatë, duke pasur në mendje Bujarin. Kush është ky, a e njoh unë? – vazhdoi ai.
Quhet Bujar Nishani, një ish-oficer, që sot punon në sektorin privat si i punësuar! – i thashë unë.
Nuk e njoh, por gjithsesi takohemi së bashku nesër pasdite! – përfundoi bisedën Berisha.

Të nesërmen u takuam dhe aty vërtet m’u krijua përshtypja se nuk njiheshin më parë. Pasi ramë dakord, e propozova emrin e tij në Kryesinë e PD-së, e cila e miratoi emrin e Bujarit. Pas më shumë se një muaj nga ky çast, Bujari filloi të largohej gradualisht, derisa u bë pjesë e grupit të njerëzve të besuar të Sali Berishës, për të ndjekur atë trajektore karriere që të gjithë e njohin. Ndonëse me Bujarin marrëdhëniet në planin formal kanë qenë korrekte, kur unë isha caktuar si kandidat për president, ishte i pari që duke zbatuar urdhrat e Sali Berishës, u ngrit në mbledhjen e Grupit Parlamentar që të tërhiqesha nga gara, në fund të një fjalimi që më krijoi një gjendje “nauzeje”.

Ishte në stilin e Saliut që të vendoste përballë pikërisht ata që ti i kishe promovuar. Ai çast dhe shumë episode të tjera më vonë do të vërtetonin një nga shprehjet e Shekspirit: “Tek ai shok e mik që ti var një shpresë, ruhu se mund të jetë një armik i pabesë”. Ndoshta harxhova një shprehje të famshme për një rast që nuk duhet të meritonte kaq vëmendje.

Marre nga TPZ.al

Loading...
SuperDyqani