“Arbitrat që vendosin ndeshjet”, si u përjashtua Olsi Sokoli –

Olsi Sokoli nuk gjykon një ndeshje të Superiores prej më shumë se 10 javësh. Të fundit, ai arbitroi në ndeshjen Kastrioti-Tirana, 1- 0. Pak ditë pas asaj ndeshjeje, “Panorama Sport” njoftoi se Sokoli ishte përjashtuar nga arbitrimi.

Të paktën për këtë vit. Po, pra. Ishte përjashtuar një arbitër i Superiores. I dyti në harkun e tri viteve të fundit, pas Lorenc Jeminit. Pas publikimit të lajmit nga gazeta, erdhi reagimi i sektorit të arbitrimit. Nën zë, patën deklaruar se Sokoli nuk ishte përjashtuar, thjesht ishte pezulluar për disa gabime që kishte bërë në atë ndeshje, por do të rikthehej shumë shpejt.

Kur u duk se kjo çështje do të harrohej, ai që i shkundi “pluhurin” ishte një arbitër nga Vlora. Ende aktiv në këtë sezon. Bëhet fjalë për Kleanto Shekon, gjyqtarin e Kategorisë së Dytë, që, nëpërmjet një letre, i bënte apel Armand Dukës se arbitrat vendosin ndeshjet dhe se për çdo pisllëk përdornin emrin e tij. Gjyqtari akuzonte hapur kupolën drejtuese të arbitrave, duke akuzuar Jarecin me shokë se Komisioni i Caktimit të Arbitrave dhe ai i Vlerësimit janë shndërruar në një “çerdhe” punësimi për miqtë e tyre.

Por, ajo që binte tjetër në sy ishte edhe rasti i Olsi Sokolit. Në letrën e tij, Sheko thotë se Sokolin e kanë hequr. Pra, ai përdor termin “hequr”. “E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë hequr me lezet Olsi Sokolin, më të përgatiturin fizikisht?!”, thotë në letrën e tij arbitri nga Vlora. Pas kësaj, menjëherë lindin pyetjet: – Sokoli është hequr se nuk ka bërë mirë punën apo se nuk u është bindur shefave? – Cili është gabimi fatal që mund të bëjë një gjyqtar për të merituar një dënim kaq të rëndë? – A është dënuar Sokoli sepse mund të ndikuar me vetëdije në rezultatin e ndeshjes? – Kujt i ka hyrë në hak Sokoli: rregullores së arbitrimit dhe lojës së ndershme apo midesë së shefave të tij?

REAGIMI I SOKOLIT…

“Panorama Sport” nuk e la me kaq. Përkundrazi, për të hedhur transparencë mbi një situatë të tillë, kontaktoi vetë me arbitrin Olsi Sokoli. I bëmë të gjitha pyetjet e mësipërme, me qëllim që të merrnin një përgjigje dhe të hidhnim pak dritë për arbitrat që përjashtohen kështu “si me lezet”. Olsi Sokoli u tregua hermetik, përkundër këmbënguljes së gazetës për të kuptuar se çfarë po ndodh me një arbitër të Superiores.

“Nuk mund të them asgjë. Më vjen keq, por nuk mund të përgjigjem”, deklaroi arbitri. I njëjti, që kur u akuzua nga Tirana për racizëm, lëshoi një intervistë goxha të gjatë për gazetën. Ndaj nuk mund të thuhet me saktësi nëse po sillet si profesionist, duke evituar mediat, apo nëse ka frikë për të ardhmen e tij si gjyqtar.

HESHT EDHE JEMINI…

Olsi Sokoli nuk është i pari arbitër që dënohet në këtë mënyrë. Edhe Lorenc Jemini, një ish-gjyqtar me stemën e FIFA-s, papritur e pa veten jashtë loje… Nuk caktohej më të arbitronte, nuk i jepte askush përgjigje, derisa e kuptoi se diçka e rëndë kishte ndodhur dhe ishin prishur raportet me “ata lart”. Kolonjari edhe sot vazhdon të jetë disi evaziv se nga i erdhi ajo gjëmë në karrierën e tij. “Panorama Sport” kontaktoi edhe me Jeminin dje. Për dy arsye: Së pari, sepse ka pasur të njëjtin fat me Sokolin dhe së dyti, sepse arbitri nga Vlora, Kleant Sheko, e ka kritikuar ashpër për mënyrës si e trajton ecurinë e gjyqtarëve këtë sezon. Jemini nuk foli as për të parën dhe as për të dytën. Preferoi edhe ai të heshtë, të paktën për momentin./ Panoramasport

Marre nga Balkanweb