Aleatët e PD takojnë Metën: Hap i vogël, por në drejtimin e duhur

Kryetarët e partive aleate të Partisë Demokratike takuan të mërkurën kreun e shtetit, Ilir Meta, si pjesë e konsultimeve për datën e re të zgjedhjeve pas shfuqizimit të dekretit për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, tha për mediat se data e zgjedhjeve do të vijë si rrjedhojë e një marrëveshjeje më të madhe, duke përmendur PS dhe PD, sepse më e rëndësishme se data e zgjedhjeve është se si do të shkojmë deri tek këto zgjedhje.

“Ne gjykojmë që data e zgjedhjeve nuk mund të jetë një dëshirë, do të dalë vetvetiu nga marrëveshjet politike, nga sipërmarrjet politike. A do t’i rregullojmë këto ligje? Nëse data e zgjedhjeve është një shtyrje thjeshtë për të fituar kohë, kjo nuk i mjafton opozitës.”

I pyetur nëse kanë dhënë një propozim si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Shehi tha se “nuk besoj se as Presidenti na ka thirrur për këtë. Zoti Meta do i presë të gjithë palët e tjera, të cilët mund të kenë edhe peshë më të madhe se ne, si PD dhe PS.”

Shehi tha se të gjitha këto diskutime bien poshtë nëse pala tjetër këmbëngul tek data 30 Qershor.

“Si fillim është një hap i vogël, por e rëndësishme është që drejtimi është i duhuri. Nëse pala tjetër vazhdon me pretendimin për zgjedhje më datë 30 atëherë këto diskutime nuk kanë më vlerë, është muhabet i kotë dhe do të bëhemi gati për beteja të tjera në rrethana të tjera, të cilat nuk do të ishin të mira për Shqipërinë.”/tvklan.al

Marre nga TvKlan