Lifestyle

10 vendet e preferuara të të pasurve (Foto)

Loading...

“Brown & Hudson”, një agjenci e specializuar udhëtimesh turistike, motoja e së cilës është “nëse ke para, asnjë përvojë nuk është ekstreme” organizoi një sondazh me klientët e saj pasanikë duke sjellë një listë me 10 vendet e preferuara prej tyre.

Mësoni më poshtë se kush janë ato:

Tromso, Norvegji. Në zemër të Artikut Polar. Është vendi ideal për aventura në mes të dëborës ku vizitorët mund të “shtrëngojnë” jetën në duart e tyre, të fotografojnë ariun e bardhë e më pas të rikthehen në qytet me një slitë të tërhequr nga qentë Haski.

Vietnami. Nga plazhet me rërë të bardhë e deri tek kënetat e gjelbëruara të mbjella me oriz. Është shndërruar në një destinancion të preferuar të pasanikëve, kjo falë edhe ndërtimit të resorteve dhe hoteleve luksoze vitet e fundit.

Bhutan. Shteti kontrollon rreptëssht çdo turist që viziton pjesën malore të këtij vendi të vogël aziatik. Vizitorët detyrohen të paguajnë një shumë të caktuar parash për përvojën e tyre në Himalaje, ku mund të njihesh edhe me murgjit budistë dhe traditat e tyre.

Mozambik. Të kridhesh në ujërat e kristalta të Mozambikut është një këshillë “e detyrueshme” për t’u zbatuar të paktën një herë në jetë. Mund të mburresh se ke notuar mes koraleve dhe peshqëve tropikalë.

Uganda. Në Parkun Kombëtar Bwindi mund të “takosh” gorillën. Të quajtura ndryshe edhe si “Malet e Hënës”, në këtë park ofrohet një aventurë e jashtëzakonshme për të apasionuarit pas bimësisë dhe kafshëve të rralla, për të mos harruar edhe Ujëvarën Murchison që tërheq çdo vit mijëra turistë.

Masai Mara, Kenia. Është vendi ideal për pushime ‘të egra’ falë llojëve të shumta të kafshëve, përfshirë këtu elefantët afrikanë, luanët, buajt, leopardët, rinocerontë të bardhë e të zi, hienat e shumë kafshë të tjera. Me pak fat mund të bëhesh dëshimtar i një beteje për mbijetesë. Mbrohet me fanatizëm nga autoritetet lokale, megjithëse kohët e fundit gjuetia e paligjshme ka pësuar rritje, sidomos ndaj rinocerontëve që janë kafshë në zhdukje.

San Paolo, Brazil. Restorantet të ofrojnë një menu të pasur dhe pa shumë kalori dhe më pas për aventurierët këshillohet një vizitë në pyjet e dendura të Amazonës për t’u njohur edhe me fiset lokale dhe jetesën e tyre primitive, për të mos harruar edhe një vizitë në Rio për të parë statujën gjigante të Krishtit.

Pulia. Natyra është treguar bujare përgjithësisht në gjithë Mesdheun, por një prej destinacioneve të preferuara të turistëve të pasur mbetet Pulia. Bregdeti italian në këtë pjesë ofron qetësi dhe ujëra të kristalta për të mos harruar edhe ato që njihen si “Kodrat e Pulias”, ndërtesa ku gërshetohen përplasjet e kulturave perëndimore me ato lindore.

Patagonia, Argjentinë/Kili. Ofron disa nga panoramat më ektreme të natyrës dhe është një ndër zonat “më të pashkelura” nga njeriu jo vetëm në Amerikën e Jugut, por në mbarë botën.

Machu Pichu, Peru. Janë një prej vendeve që çdo vit tërheqin qindra-mijëra turistë. Por Peruja ka çfarë ofron edhe në shumë zona të tjera. Nëpërmjet një eksperti mund të vizitosh mes dendësisë së pyjeve të Amazonës tempuj 700-vjeçarë dedikuar Diellit dhe Hënës dhe Cusco-n, dikur kryeqendër e kulturës inkase.