Rrjeti i prostitucionit, ja kush janë dy motrat që rekrutonin “shoqet” e...

Rrjeti i prostitucionit, ja kush janë dy motrat që rekrutonin “shoqet” e tyre

183
0
Shperndaje

14580457-10207609685782449-642136028-n_1475510374-29156Gjashtë muaj përgjime dhe vëzhgim në terren të policisë kanë zbuluar rrjetin e prostitucionit Tiranë-Gjermani. Nën drejtimin e dy motrave I. Qama dhe A. Qama përkatësisht 23 dhe 25 vjeç, grupi rekrutonte vajza të reja duke u premtuar punësim dhe ndarje fitimesh nga aktiviteti i paligjshëm i prostitucionit.

Fillimisht vajzat që shfrytëzoheshin në Tiranë e më pas dërgoheshin në vendet e BE-së, kryesisht Gjermani. Ato rekrutoheshin me premtimin se fillimisht do punonin si modele ose këngëtare, por në realitet ato shfrytëzoheshin si prostituta dhe fitimet e mbledhura ndaheshin me dy motrat Qama, raporton “Report TV”.

Dy motrat Qama rekrutonin vajza fillimisht në raporte shoqërore e më pas duke para kushtet ekonomike të tyre ato i ofronin punësim me qëllim shfrytëzimin. Baza e këtij rrjeti ishte ndërtuar në zonën e Unazës së Re në Tiranë, ndërsa trafikimi i dy femrave për në Gjermani rezulton se ishte hera e parë që tentohej të kryhej nga ky grup.

Si dy motrat rekrutonin vajzat, i çonin jashtë pasi i “mësonin” në vend

Dy motra nga Skrapari dhe tre djem janë vënë në pranga dje gjatë tentativës për të trafikuar drejt Gjermanisë dy vajza të reja, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion.

Arrestimi i tyre u krye gjatë operacionit të koduar “Rekrutimi”, të realizuar nga oficerët e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Tiranës.

Burime zyrtare të Policisë thanë se 5 personat e arrestuar akuzohen për trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Nga ana tjetër, gjatë operacionit u ndaluan edhe dy vajzat që po transportoheshin drejt Gjermanisë, të cilat më parë kishin ushtruar prostitucion në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ndaj tyre nisi procedim penal në gjendje të lirë për prostitucion, ndërsa u shpall në kërkim edhe një shtetase nga Rumania. Sipas Policisë, vajza rumune me inicialet P.C. dyshohet se ishte personi pritës në Gjermani. Vajzat që do të trafikoheshin jashtë vendit ishin pajisur më parë me karta rumune të falsifikuara, që u sekuestruan gjatë operacionit, bashkë me biletat e udhëtimit dhe pasaportat.

Nga ana tjetër, Policia e Tiranës tha se vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka raste të mëparshme që vajza të reja janë trafikuar nga Shqipëria nga ky rrjet i shfrytëzimit të prostitucionit.

OPERACIONI

Policia e Tiranës tha dje se Seksioni i Trafiqeve në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale, pas një hetimi disamujor kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit koduar “Rekrutimi”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë 5 persona dhe 3 të tjerë hetohen në gjendje të lirë.

Në pranga përfunduan dy motrat, Ina e Armonela Qama, 23 e 25 vjeç, nga Skrapari, banuese në Tiranë, si dhe Ledian Gjoni, 28 vjeç, nga Skrapari, Ardit Shmilli, 24 vjeç, nga Skrapari dhe Zamir Hodo, 31 vjeç nga Tirana.

“Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar veprimtari kriminale me tendencë shfrytëzimin e prostitucionit në Shqipëri, si dhe kanë rekrutuar me qëllim trafikimi e më pas shfrytëzimin për prostitucion e dërgimin e tyre drejt Gjermanisë së dy shtetaseve me iniciale M.TH., 19 vjeç dhe A.P. 20 vjeç”, tha dje Policia.

Mësohet se, përveç të arrestuarve, janë referuar materialet në Prokurori për hetim në gjendje të lirë ndaj shtetaseve M.Th. dhe A.P., të cilat janë rekrutuar nga personat e mësipërm dhe dyshohet se kanë ushtruar prostitucion në Shqipëri e më pas do të shfrytëzoheshin jashtë vendit.

Policia tha se e përfshirë në trafikimin e vajzave dyshohet të jetë dhe shtetasja nga Rumania me inicialet P.C., e cila dyshohet se ishte personi pritës në Gjermani. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy karta identiteti rumune të dyshuara të falsifikuara, me të cilat ishin të pajisura dy vajzat që do shfrytëzoheshin në Gjermani, 4 bileta avioni, 7 telefona dhe 1500 euro.

Gjithashtu është sekuestruar edhe një automjet taksi, i cili bënte transportin e vajzave nga Tirana në drejtim të Aeroportit të Prishtinës, nga ku bëhej nisja drejt Gjermanisë.