Notat për futbollistët / Efikasitet i Sadikut, 50’ me 10 vetë

26

Berisha 7

Mungesa në portë ka qenë vetëm sa i takon asaj të përfaqësueses sonë; prania e përjavshme në katërkëndorin e Atalantës e bën të jetë në lartësinë e duhur. Eshtë një pikë sigurie në një prapavijë, që nuk duket e konsoliduar tërësisht.

Hysaj 6,5

Nuk është se po kalon një periudhë të mirë te Napoli dhe kjo reflektohet edhe te përfaqësuesja. Duket kjo në pjesëmarrjen sporadike në manovrën tonë sulmuese e po kështu nuk ka sigurinë e zakonshme dhe në aspektin mbrojtës. Sidoqoftë në pjesën e dytë përballon mjaft mirë.

Mavraj 6,5

Pjekuria e bën të arrijë të mbyllë në kohë të çarat që krijohen në linjën e pasme. Orienton drejt shokët dhe është thuajse i pagabueshëm në luftën një për një. I fuqishëm edhe në lojën në ajër.

Veseli 6

Gjithnjë e më tepër po profilizon një dyshe të mirë në qendër me Mavrajn. Pozicional dhe nuhatës ndaj manovrës sulmuese të skuadrës kundërshtare. Shenja të mira edhe në fillesën e aksioneve tona.

Lenjani 6

Ndoshta distanca me Grezdën, apo dhe futja më në qendër sa duhet e Lilajt e vunë në vështirësi. Jo rrallë pati mbipozicionime të turqve në krahun e tij, zonë nga ku u krijua sistematikisht rreziku vendas.

Xhaka 5,5

Personaliteti që ka krijuar e bën që të hijezojë periudhën jo fort të shndritshme që po kalon. Eshtë i qëndrueshëm në lojë dhe di se ç’bën në fushë. Pozicionohet mirë çka e bën që të mos konsumojë shumë e të mos bjerë në sy.

Lilaj 6,5

“Hajmalia” e kampionatit tonë përligji kthimin në përfaqësuese. Iu besuan deri dhe goditjet e dënimit e ato të këndit, si të ishte një lojtar që ka luajtur sistematikisht me këtë skuadër. Edhe pse ka një mbingarkesë nga kampionati e Europa Legue, sërish është i freskët e i palodhur.

Roshi 6

Nëse do të ishte vetëm për 45 minuta, pa dyshim që ka qenë prodhimtar në krahun e djathtë. Falë shpejtësisë, arriti shpesh në fundore. Dy nga tre golat e shënuar u nisën nga e djathta e tij. Merret vesh përmendësh me Sadikun. Në të dytën ra freskia e tij.

Memushaj 4,5

E pakuptimtë sjellja e mesfushorit: edhe në një ndeshje ku nuk është e domosdoshme të bësh heroin, bën dy ndërhyrje të ndëshkueshme dhe e lë skuadrën pa mbaruar pjesa e parë. Por, edhe në atë 40 minutësh që luajti nuk është se la shenjë.

Grezda 7

Nëse përzgjedhja e tij do të konsiderohet një bast i Panuçit, është një i tillë i fituar prej italianit të stolit, por edhe nga përfaqësuesja. Luftarak dhe këmbëngulës. Ekzekutimi te goli, perfekt.

Sadiku 7,5

Është aftësi e një goeladori cilësor që nuk “mendohet” dy herë kur është para portës. Jo vetëm mban të zgjatur slkuadrën, por është dhe me një rendiment në kufinj marramendës. Problematik për çdo mbrojtës e portier, e bën vetëm një repart të tërë.

Ajeti , Qaka, Aliji

Edhe pse patën jo pak minuta në dispozicion, të qenit në inferioritet numerik i bëri që të merreshin më shumë me largimin e rrezikut para portës sonë. Megjithatë, Aliji pati momente të mira.

Ajdareviç e Lila – Pa vlerësim /Vipsport.al