Jenna Adams, blogerja që…nuk ekziston

24

Jenna Adams ishte një yll i “Twitter”-it që adhuronte Donald Trumpin e jepte opinione mbi çdo gjë, nga veshjet e Kim Kardashian deri te raketat balistike të Koresë së Veriut.

Gazetarja “freelancer” arriti 70 mijë ndjekës në 3 vite, e ndjekësit e rrjetit social i shijonin shumë shakatë dhe shpotitë e saj.

“Ej ju, njerëz që e urreni flamurin e konfederatës. Dijeni se, as ai dhe as lufta nuk kishin lidhje me skllavërinë. E gjitha ajo që ndodhi pati lidhje me paratë”, shkruante ajo në muajin prill.

Adams kishte plot armiq në “Twitter”, por edhe më shumë adhurues. Dukej e zgjuar, e bukur, gjithmonë e gatshme të sfidonte klishetë “politikisht korrekte”.

Problemi i madh i Jennës është se…ajo nuk ekziston fare.

Profili me këtë emër në “Twitter” rezulton tani të jetë hapur nga Agjencia ruse e Kërkimit në Internet, e njohur ndryshe edhe si “fabrika e faqeve të rreme” të Moskës zyrtare.

Blogerja është sot e famshme pa qenë një person i vërtetë. Në postimet e saj, nën maskën e neutralitetit shfaqej një lloj mbështetjeje për presidentin amerikan.

“Që ta dini, unë nuk jam pro Trumpit, jam pro logjikës së thjeshtë”.

Ai i saji është një prej 2.752 profileve të mbyllura nga “Twitter” kur u mësua se ishin “prodhim rus”. Mesazhet e saj në internet kishin tërhequr deri edhe vëmendjen e historianëve, si Kevin Kruse, i cili i kthente përgjigje: Jo, lufta civile lidhej pikërisht me skllavërinë. Me respekt nga historianët./Top Channel