E pabesueshmja në Mal të Zi, shqiptarët bashkohen në një parti politike....

E pabesueshmja në Mal të Zi, shqiptarët bashkohen në një parti politike. Do pasohet nga shqiptarët në Maqedoni e Preshevë…?!

259
0
Shperndaje

kreret-e-partive-politike-mal-te-zi

Ndërkohë që në të gjitha trevat shqiptare partitë politike shtohen si kërpudhat pas shiut, duke u bërë shërbim pushteteve dhe shteteve të tjera, në Ulqin ka ndodhur një ngjarje vërtetë e rrallë për tërë hapësirën mbarëshqiptare.

Tre partitë shqiptare në Mal të Zi, pasi janë zënë, sharë dhe përplasur për 25 vite, më në fund janë bashkuar, duke krijuar kështu një mundësi për një përfaqësim më të madh të faktorit politik shqiptar.

Aktualisht shqiptarët kanë tre deputetë, por asnjë ministër, dhe e kanë humbur shumicën relative në këshillin komunal të Ulqinit thjesht nga përçarja.

Duhet shtuar këtu se disa shqiptarë janë rreshtuar edhe me forcat politike malazeze, si Dritan Abazoviç i “URA”-s.

Tre liderët e forcave politike shqiptare, përkatësisht Nazif Cungu i “Forca”-s, Mehmed Zenka i “Unionit Demokratik të Shqiptarëve” dhe Gjergj Camaj i partisë “Alternativa Shqiptare”, kanë zhvilluar një ceremoni, ku i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, kanë shkruar një pakt, dhe më pas u kanë dërguar një letër të gjithë krerëve politikë në Shqipëri dhe në Kosovë, duke shpallur se tashmë shqiptarët e Malit të Zi janë një subjekt politik, e me të duhet të bisedojnë.

Shpresojmë që ky bashkim të mos jetë vetëm një shfaqje por të pasohet dhe bashkimi I partive shqiptare në Maqedoni dhe në Preshevë, për të maksimalizuar votën dhe prezencën në parlamente dhe në pushtetin vendor.

 Po botojmë letrën e plotë që tre partitë shqiptare u dërgojnë krerëve të Tiranës dhe Prishtinës:

 “LETËR E HAPUR

Drejtuar opinionit publik mbarëshqiptar, si dhe:

Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani

Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli

Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama

Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Z. Isa Mustafa

 Të nderuar liderë të shquar politikë shqiptarë,

Po e shkruajmë këtë letër të hapur në emër të koalicionit të saponënshkruar mes tre partive kryesore shqiptare në Malin e Zi, Forcës së Re Demokratike, Unionit Demokratik Shqiptar dhe Alternativës Shqiptare. Sikurse mund të jeni në dijeni, zyrtarët e vetëm të lartë shtetëror shqiptarë në Malin e Zi sot janë faktikisht eksponentë të këtyre partive, konkretisht kryetari i komunës së Ulqinit, dy deputetët e vetëm të partive shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi si dhe kryetari i Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit.

Nëpërmjet kësaj letre ne dëshirojmë t’ju kërkojmë të përdorni ndikimin tuaj që të bindni edhe aktorët e tjerë politikë shqiptarë në Mal të Zi që të lënë mënjanë ndasitë krahinore apo fetare dhe në zgjedhjet e ardhshme të garojnë të gjithë të bashkuar.

Përvoja e hidhur e zgjedhjeve të kaluara parlamentare ka treguar se fragmentimi i faktorit politik shqiptar ka sjellë humbjen e mandateve parlamentare, duke minimizuar përfaqësimin tonë politik në Kuvendin e Malit të Zi. Prandaj duam t’ju informojmë se vendosëm që të formojmë këtë koalicion parazgjedhor duke pasur parasysh sistemin zgjedhor malazez dhe konjukturën politike, si dhe duke vepruar në interesin tonë kombëtar.

Ne zgjedhjet e kaluara parlamentare, rreth 30 mijë shqiptarët e Malit të Zi ishin të përçarë në katër lista zgjedhore, fragmentim ky që nuk ndodh me pakicat e tjera etnike në Mal të Zi apo në shtete të tjera. Ka ardhur koha që të nxjerrim mësime nga pësimet, dhe ne shpresojmë në ndihmën tuaj që të bëni thirrje tek të gjithë aktorët politikë shqiptarë në Malin e Zi, si dhe tek diaspora jonë, që në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit 2016 shqiptarët të përfaqësohen të bashkuar, me një platformë politike, në një listë të vetme zgjedhore.

Në themel të marrëveshjes sonë qëndrojnë nevojat kryesore dhe çështjet më të mprehta që prekin popullsinë shqiptare, dhe, për rrjedhojë, bashkimi me këtë koalicion të organizatave të tjera politike shqiptare në Malin e Zi është më se i mirëpritur dhe i dobishëm për të gjithë shqiptarët.

Platforma politike e këtij koalicioni ka në qendër të saj mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe simboleve tona kombëtare, forcimin e arsimit në gjuhën shqipe, decentralizimin, duke përdorur standardet më të larta evropiane në këtë fushë, si dhe përmirësimin e gjendjes social-ekonomike të komunitetit tonë etnik autokton.

Ne dëshirojmë gjithashtu t’ju vëmë në dukje se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka luajtur një rol kyç në sigurimin e pavarësisë së Republikës së Malit të Zi, e do të vazhdojë të jap kontributin e pakursyer konstruktiv në zhvillimin e demokracisë, ekonomisë së tregut, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Pra, forcimi i përfaqësimit politik shqiptar në Podgoricë jo vetëm që përmirëson cilësinë e jetës dhe respektimin e të drejtave të bashkëkombësit tuaj këtu, por edhe jep kontribut në konsolidimin e shtetit malazez, në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon, si dhe në proceset e integrimeve euroatlantike të Malit të Zi.

 Po ashtu përfitojmë nga rasti i kësaj letre për të shprehur mirënjohjen tonë për kontributin tuaj të vazhdueshëm në jetën politike shqiptare, si dhe solidaritetin që keni treguar në të kaluarën për bashkëkombësit tuaj kudo që ata ndodhen. Ne i bëjmë thirrje pikërisht ndjeshmërisë suaj kombëtare, duke kërkuar që të na gjendeni sërish pranë në këto kohë të vështira për ne. Ndihma juaj në forcimin e unitetit të shqiptarëve të Malit të Zi do të jepte një kontribut të rëndësishëm historik kombëtar.

Me shpresën që ju do të përdorni forcën e zërit tuaj në të mirë të komunitetit të shqiptarëve të Malit të Zi, ne ju falënderojmë paraprakisht për ndihmën tuaj dhe ju përcjellim konsideratat tona më të larta!

Me respekt,

Nazif Cungu

Kryetar i partisë Forca e Re Demokratike – FORCA

Mehmed Zenka

Kryetar i partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve – UDSH

Gjergj Camaj

Kryetar i partisë Alternativa Shqiptare – ASH”