3:34 am - Sunday May 26, 2013

Del në shitje makina e Duçes

Të shtunën të apasionuarit për makinën do të kenë mundësi që të blejnë makinën “Fiat 2800” të përdorur nga Benito Musolini. Kur Duçe kërkon me mirësjellje, është e vështirë t’i thuash jo. Kështu Benito Musolini, në 1943-shin, i kërkoi “Fiat”-it të krijonte një makinë që të impononte të njëjtin seriozitet si “Mercedez”-i i Adolf Hitlerit në lëvizjet e tij.

Si rrjedhojë u krijua Fiat 2800 presidencial, i ndërtuar me vetëm 12 kopje, tre prej të cilëve janë ende në funksion. Një prej tyre do të dalë në ankand të shtunën pasdite. E krijuar për Musolinin, Fiat 2800 i ka shërbyer më pas edhe demokracisë.

U ndërtua në 1943-shin (pikërisht pas kërkesës personale që Duçe i bëri firmës torineze) dhe mbeti pronë e Fiat-it: u regjistrua vetëm pas luftës, më 7 shtator 1948 në qendrën e mjeteve të firmës që e përdorte për të lëvizur delegacione të huaja që vinin në Torino ose në ceremoni të ndryshme në kryeqytet. Një foto e 1954-s tregon edhe presidentin e republikës Luixhi Einaudin që, përkrah kryebashkiakut Domeniko Koxhiola, shkon të përurojë sallonin e mjeteve në Torino. Disa vite më pas Fiat-i e shiti këtë makinë, e cila nga blerësit u konsiderua si një emblemë e prodhimit italian “Made in Italy”. E regjistruar me targë milaneze, të cilën e ka ende, kjo makinë pati rastin të priste për një përurim një tjetër president të republikës italiane e pikërisht Xhuzepe Saragatin, si dhe kryepeshkopin e Milanos, Xhovan Batista Montini, që më pas u bë Papa Paolo VI.

Nga ana teknike bëhet fjalë për një cilindratë 2852 centimetrash kubë, 6 cilindra, frena me tamburë, 85 kuaj-fuqi me një shpejtësi prej 130 km në orë (por me një karrierë të jetuar në hapin e njeriut duke qenë se është përdorur ekskluzivisht vetëm për lëvizjet e zyrtarëve të lartë dhe nëpër parada), dhe shumë i mirë për parametrat e sotëm, konsumon 17 litra për 100 kilometra.

Shpejtësia e lartë e këtij mjeti erdhi edhe prej faktit se “Fiat”-i e kishte në atë kohë një prodhim 2800-sh, të cilit thjesht i “zgjati hapin” dhe nuk qe nevoja që të dizenjonte një karroceri të re. “Fiat”-i përdorur nga Duçe ishte një veturë e elitës, që në kohën që u prodhua kushtonte 60 mijë lira. Ajo u ideua dhe për të treguar se shoqëria torineze ishte e aftë për të arritur norma të larta. “2800”-a normale u prodhua në 621 ekzemplarë, duke përfshirë dhe një variant ushtarak. “Fiat 2800” e Duçes pritet që të shitet të shtunën.

Filed in: AUTO NEWS

No comments yet.

Leave a Reply