11:10 pm - Tuesday June 18, 2013

Altin Basha: “Portokalli” në shfaqjen e 201, ja surprizat e sezonit të ri

Nesër do të nisë transmetimin në “Top Channel” spektakli i njohur “Portokalli”, duke nisur kështu sezoni i parë i të dielave të humorit në “Top Channel” për vitin 2012. Të gjithë janë kureshtarë të dinë për surprizat e natës së parë të humorit të spektaklit, që për të tretin sezon do të vazhdojë të prezantohet nga Eneda Tarifa dhe Salsano Rrapi. Për sa i përket konceptit të show-t, regjisori Altin Basha tha për gazetën “Panorama” se “edhe këtë vit ky spektakël humori do të vazhdojë të shfaqet me të njëjtën formulë që ishte vitin e kaluar “Portokalli Channel”, ku aktorët sjellin pjesët e tyre si në një programacion të plotë televiziv. Basha pohoi se “Portokalli jep sot shfaqjen e 201-të, dhe në 7 vjet e gjysmë spektakël, në një bilanc shfaqjesh me katër premiera në muaj, kemi mundur të kapim rekordin e 50 viteve të punës normale të një teatri, që mund të japë vetëm katër premiera në vit”. Për sa i përket konceptit regjisorial dhe pjesëve të humorit, regjisori pohoi se “ruajmë të njëjtin koncept edhe këtë sezon të ‘Portokalli’ me disa të reja në kombinimin e personazheve, apo karaktereve të rinj që do të zbulohen në shfaqjen e parë të trupës së “Portokalli”-së nesër në mbrëmje. Në lidhje me largimet dhe prurjet e reja në stafin e aktorëve në këtë sezon, regjisori pohoi se “nuk ka asnjë largim prej aktorëve, ndërkohë që do të shfaqen për herë të parë dy protagonistë të rinj në trupë, që janë aktori i njohur i kinemasë Gent Hazizi, dhe një aktor tjetër i ri. Sezonin e kaluar u larguan nga “Portokalli” Niku nga Kosova dhe Drilon Hoxha, djali që imitoi Kryeministrin Sali Berisha. Muajt e përgatitjeve për numrat e rinj të këtij sezoni janë shoqëruar paralelisht me audicionet e vazhdueshme për përzgjedhjen e aktorëve të rinj. Edhe këtë vit nuk do të mungojnë paroditë e dy prezantuesve Salsano Rrapi dhe këngëtares Eneda Tarifa. Për sa u përket të rejave të tyre, ata do të vazhdojnë të prezantojnë në të njëjtin stil dhe koncept si vitin e kaluar. Një nga momentet kulminante të protagonizmit të tyre në skenë ka qenë kënga e së dielës, që i kushtohej një qyteti të caktuar të Shqipërisë, si një dedikim artistik për kthimin e vëmendjes te qytetet e harruara./Panorama Plus

Filed in: SHKENCE

No comments yet.

Leave a Reply