I riktheheni radios me “Triçikël”, pse kjo dëshirë e një moderatori të përnatshëm në televizion për të qenë prezent dhe në radio?
Jam kthyer dhe një herë aty ku e kam nisur. Me sa duket, më kishte marrë malli. Rrugëtimin e gjatë, serioz dhe të vërtetë në gazetarinë radiofonike unë e kam nisur në radio «Koha», ku kam qenë një ndër themeluesit e programeve të kësaj radioje, domethënë ishim një grup gazetarësh të rinj në atë kohë, viti i vështirë ’97, që filluam ta bënim këtë radio të fliste. Më pas, jeta më ndau me radion me sa duket, për të më ribashkuar përsëri këtë sezon. Radio është dashuri e hershme imja dhe kisha të paktën tre vjet që i vija rrotull. Por me sa duket, u desh dhe insistimi i miqve e bashkëpunëtorëve të mi, Bieta Sulo dhe Gjergji Gjeli, që ta bënim realitet këtë projekt.
Keni pohuar se është një emision për të gjitha moshat. Çfarë është ajo e mesmja e artë ku mund të gjejmë veten të gjithë?
Humori, sportiviteti, muzika e ritmi. Është një emision tipik mëngjesi i ditës së parë të fundjavës, ku njerëzit janë më të ngeshëm dhe ne përpiqemi të bisedojmë me ta. Përpiqemi gjithashtu t’i krijojmë një gjendje të mirë shpirtërore për të vazhduar mbarë fundjavën e tyre. Pastaj kombinimi i moshave të të treve ne që e drejtojmë emisionin, është i tillë, që krijon një të mesme të artë komunikimi.
Si do ta komentoje këtë eksperiencë me Bietën dhe Gjergjin, të ndash mikrofonin është e vështirë apo më e thjeshtë?
Ditën e parë isha unë më shumë i emocionuar sesa ata. Po ndaj një sekret me ty. Unë isha i emocionuar për ata, duke menduar mungesën e tyre të përvojës në radio. Gjatë natës përpara se të fillonim emisionin, m’u kujtua vetja ime ditën e parë përpara mikrofonit, gjithë emocionet që kam pasur atë ditë. Duart dhe zërin që më dridheshin, derisa pak nga pak fitova qetësinë. Ata e përballuan shumë më mirë se unë ditën e parë. Tani themi se kombinohemi shumë më mirë dhe kemi arritur të jemi një triçikël, që nuk dridhet kur ecën. Në gjuhën e makinave, do të thoshim një triçikël që është shtruar, ose që sapo ia kemi bërë konvergjencën. (qesh)
Në një intervistë keni pohuar se gjithmonë e keni ëndërruar famën. Tani që e keni arritur, cilat janë të mirat dhe kostot e famës televizive?
Në gazetën tuaj e kam dhënë atë intervistë, në mos gaboj. Në fakt, titulli është gjithmonë ai që mbetet. Ajo që unë kam thënë, nuk është saktësisht se kam ëndërruar famën. Kam treguar për një shqetësim timin që fëmijë, kur shikoja lajmërimet e vdekjes dhe shumë emra të panjohur aty. Ajo që kam thënë, ka qenë që unë nuk doja të largohesha nga kjo botë pa lënë asnjë gjurmë, me idenë që më kanë njohur vetëm njerëzit e mi të afërt. Në këtë kuptim, në kuptimin e gjurmës që mund të lësh në jetën e shumë njerëzve, po, e kam dashur famën. Besoj se një pjesë të kësaj gjurme e kam vendosur. Por natyrisht jeta është e gjatë dhe Zoti i ka rrugët e panumërta.
Është folur se duke filluar nga janari ju do të jeni autor dhe moderator i programit “E Diell”. Mund të thoni diçka më shumë?
Nuk kam ende asnjë lajm për t’ju dhënë.
Alban Dudushi: Me Bietën dhe Gjergjin argëtohemi pa fund në Radio
Filed in: SHOW BIZ




